Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Një skicë për revolucionin flamingo

Pika rrëfimi për një pjekuri të re qytetarie shqiptare

Në vend të një shkrimi, i cili domosdoshmërisht do të dilte i gjatë për të qenë një analizë më e thelluar, po i jap disa pika që, duke i shikuar nga largësia, ndihmojnë skicën e një zhvillimi që më duket i një rëndësie të veçantë në Shqipëri, hyrjen në javën e dytë të protestave të iniciuara fillimisht me idenë e një projekti turistik luksoz multimiliardësh në Zvërnec/Sazan.

1.    Lëvizja nuk ka prijës tradicional partiak dhe rrjedhimisht, nuk ka cak tradicional partiak. Caku i kësaj lëvizje nuk është që partinë e tanishme në pushtet ta zëvendësojnë me partinë e tanishme në opozitë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

2.    Lëvizja e bën protestën në Tiranë të njëjtë në qytetari si në Stuttgardt, Valencia, Kopenhagë apo Pragë. Ruajtja e formës nuk është imitim apo shtirje, është dëshmi e pjekurisë së një qytetarie e cila e ka këtë edhe në përmbajtjen politike të protestës.

3.    Lëvizja u iniciua me mbrojtjen e Zvërnecit/Sazanit. Simbolika qe e menjëhershme: Shqipëria e zonave të mbrojtura që gllabërohen nga shteti për interesa private, rojat private që tërheqin zvarrë qytetarin në sytë e policëve si rrëfim për privatizimin e shtetit, skema privatizimi pronash, skema përcaktimesh zonash strategjike zhvillimi...Përballë këtyre simboleve u vendos flamingo dhe ngjyra rozë e tij.

4.    Në perceptimin publik nuk ka kontrast më të madh se e zeza e rojës private që tërheq qytetarin zvarrë përballë këmbëve të gjata e të thyeshme të flamingos me ngjyrën e vet rozë. Ky kontrast po thellohet ditë më ditë: lëvizja e protestës nuk ka të bëjë me rojet e veshura në të zeza, por me perceptimin e rojës si hallka e fundit e një sistemi i cili ka privatizuar vendimmarrjen në emër të tyre.

5.    Lëvizja është - në formën e vet kapilare, joideologjike, jopartiake - kundër sistemit. Sistemi kundër të cilit janë ata nuk është demokracia, por kapja e saj, shndërrimi i procesit zgjedhor në formë të kapjes së shtetit.

6.    Nëse është kështu, qoftë edhe në formë të pavetëdijshme, lëvizja është kundër konsensusit të tanishëm shoqëror, konsensusin e tranzicionit. Në këtë konsensus, përgjatë këtij shekulli, kanë bashkëjetuar partitë politike, korrupsioni endemik, krimi i organizuar, kontrolli apo vetëcensurimi mediatik. Përfundim logjik i këtij konsensusi është Zvërneci/Sazani.

7.    Lëvizja Flamingo është rreziku i dytë për pushtetin e tanishëm në Shqipëri. I pari ishte paraqitja e SPAK-ut, të cilit në mungesë të opozitës reale, situata ia dha edhe rolin e elementit korrigjues të sistemit. Kryeministri Rama u konfrontua me SPAK kur ai trokiti fare afër derës së tij, te ajo e zv.kryeministres Balluku. Argumenti i tij ishte se SPAK kishte hyrë në hapësirën ku nuk do të duhej të ishte, në atë politike. 
Lëvizja Flamingo tash zë hapësirën politike për korrigjimin e sistemit, por kjo Lëvizje nuk e sheh problemin sistemor vetëm te partia në pushtet.

8.    Të jesh kundër konsensusit dhe të jesh lëvizje kapilare paraqet problem për pushtetin e tanishëm në Shqipëri, sikundër për çdo pushtet tjetër që nuk i përmbush kriteret e demokracisë funksionale. Lëvizjet e këtilla nuk janë të kontrollueshme nga pushteti dhe KM Rama po bën gabim pas gabimit në përballje me këtë lëvizje. I ka përshkruar si produkt të interesave antishqiptare dhe i ka përqeshur me bullizmin që i përngjante seksizmit. Me arrogancën dhe mungesën e respektit bazik me të cilën flet me atë pjesë të medieve që i ka të afërta e të cilat megjithatë, i quan “kazan” i foli CNN-it, për të kundërshtuar legjitimitetin e Lëvizjes dhe të përshkrimit të realitetit nga ana e saj.

9.    KM Rama në sjelljet e veta fillestare ka rrezikun që të lejojë krijimin e shpejtë të analogjive mes tij dhe presidentit Vuçiq, i cili është duke u ballafaquar me një lëvizje kapilare kundër tij dhe të cilën e ka etiketuar si “revolucion të ngjyrosur”, të ngjashëm me ato që rrëzuan pushtetet e Evropës lindore të afërta me presidentin Putin.

10.    Shqipëria dhe Serbia, ndonëse me pushtete që nuk përmbushin kritere të demokracisë funksionale, janë shtete dhe shoqëri që dallojnë me njëra tjetrën. Kryeministri Rama nuk i prin një lëvizjeje të ndërtuar mbi politikën shumëvjeçare të urrejtjes së popujve të tjerë, sikundër është ajo e presidentit Vuçiq. Dhe protestuesit në Tiranë nuk duhet të frikësohen se ndaj tyre do të përdoret “topi zanor”, sikundër protestuesit në Beograd. Megjithatë, kryeministri Rama ka mundësi të ketë zgjedhur opsionin e njëjtë fillestar sikurse presidenti Vuçiq, llogaritjen se protestuesit do të lodhen.

11.    Në mesin e të panjohurave të tjera është edhe ajo se sa mund të zgjasë Lëvizja Flamingo, gjegjësisht përcaktimi i qytetarëve që të rrisin dita ditës pjesëmarrjen apo madje edhe vetëm të përsërisin atë të një nate më parë. Por, nëse dhjetë ditët e kaluara janë indikatore, kjo është një lëvizje e cila nuk është se do të zhduket shpejt.

12.    Në fillim të protestës ligjërimi publik përfshiu familjen Trump, investitorë sirianë, Katarin, Emiratet, klane droge e teori komploti. Me vazhdimin e protestës gjithçka po kondensohet në simbole të lexueshme. Flamuri shqiptar, kërkesa që sovraniteti t’u kthehet qytetarëve dhe flamingoja si simbol i ri i qytetarisë evropiane shqiptare. Përballë tyre nuk është më një investim, por një sistem. Ndaj, për protestuesit kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit nuk shihet vetëm si ndërrim personash në pushtet, por si akti i parë i një kërkese më të thellë: që Shqipëria t’u kthehet qytetarëve të saj.