Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Shpallja e Pavarësisë para 18 vjetësh nuk ishte unilaterale

Në historinë e shpalljeve të pavarësive vështirë se mund të gjendet ndonjë rast kur ajo të ketë qenë më pak unilaterale sesa ajo e Kosovës. Sot termin “shpallje unilaterale” vazhdojnë ta përmendin Serbia, Rusia dhe kundërshtaret e Pavarësisë së Kosovës. Gjithçka në rastin e Kosovës ishte e koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare, që nga përmbajtja e deklaratës, pamja e flamurit, himni e deri te hollësitë e kornizës ligjore dhe Kushtetutës. Sot 18 vjet më vonë, Kosova u është përmbajtur obligimeve nga ky koordinim më shumë sesa bashkësia ndërkombëtare

Është e pabesueshme se si edhe sot, 18 vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ka zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, përfshirë edhe nëpunës në BE dhe në NATO, që e përdorin termin “deklarata unilaterale e pavarësisë”. Dhe kjo bëhet me tendencë. Kjo tendencë llogarit në harresën e njerëzve dhe në ndërrimin e gjeneratës në mënyrë që një ditë vërtet të besohet se disa njerëz, pa asnjë arsye, në mënyrë të njëanshme vendosën që ta shpallin Pavarësinë e Kosovës. Ishte krejt e kundërta. 
Kosova e shpalli Pavarësinë në koordinim të plotë me bashkësinë ndërkombëtare. E nisja e këtij koordinimi, sipas dëshirës, mund të datojë qysh nga viti 1999 dhe nga Konferenca e Rambouillietit, nëpërmjet administrimit të OKB-së, negociatat nën udhëheqjen e Marti Ahtisaarit, ato të ndërmjetësuara nga “Trojka” e deri te vetë shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008.  
Në historinë e shpalljeve të pavarësive vështirë se mund të gjendet ndonjë rast kur ajo të ketë qenë më pak unilaterale sesa ajo e Kosovës. Sot termin “shpallje unilaterale” vazhdojnë ta përmendin Serbia, Rusia dhe kundërshtarët e Pavarësisë së Kosovës. Gjithçka në rastin e Kosovës ishte e koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare, që nga përmbajtja e deklaratës, pamja e flamurit, himni dhe deri te hollësitë e kornizës ligjore dhe Kushtetutës. Sot, 18 vjet më vonë, Kosova u është përmbajtur obligimeve nga ky koordinim më shumë sesa bashkësia ndërkombëtare. 

Një shikim në tekstet e “Kohës Ditore” nga fundi i vitit 2007 dhe fillimi i vitit 2008 mjafton për të kuptuar se sa insistuese ishin kërkesat ndërkombëtare që Kosova “të mos bëjë hapa të njëanshëm” apo ”hapa të nxituar”, por të presë që shpallja e pavarësisë të bëhet në mënyrë të koordinuar. Dhe kështu edhe ndodhi. Nëpërmjet këtij koordinimi u kërkuan zgjidhje për shumë çështje, për çka rasti i Kosovës edhe u quajt si “sui generis”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pos që u deshtë të gjenden modalitete për ta siguruar një status të kënaqshëm për komunitetin serb në Kosovë dhe për objektet fetare ortodokse serbe, bashkësia ndërkombëtare u kujdes që të gjitha provizionet ligjore në Kosovë t’i rehatojnë edhe nevojat e Bashkimit Evropian. Që nga misioni në fushën e rendit dhe ligjit – EULEX – e deri te Zyra e BE-së në Kosovë. 

Edhe pse gjithçka Kosova e bëri sipas “udhëzimeve ndërkombëtare”, BE-ja dhe NATO-ja as sot e kësaj dite nuk e trajtojnë Kosovën si shtet të pavarur. BE-ja nuk ka delegacion në Prishtinë e as Kosova nuk ka mision pranë BE-së. Pra, Kosova dhe BE-ja nuk kanë formalisht raporte diplomatike. 
Sa herë ia kujtojmë këtë BE-së, ajo mbrohet me shifrat se sa mjete financiare ka dhënë për ta ndihmuar Kosovën, si i ka liberalizuar vizat dhe se me Kosovën ka një Marrëveshje Stabilizim-Asocimi. Dhe nuk ka dyshim se e ka ndihmuar dhe vazhdon ta ndihmojë.  

Është fakt i pamohueshëm se BE-ja dhe vendet anëtare janë donatorët më të mëdhenj për Kosovën dhe se kosovarët për kokë banori kanë përfituar nga këto ndihma më së shumti në botë. Kosovarët duhet të jetë gjithmonë falënderues për këtë. Dhe janë. Por, nga ana tjetër, mbetet fakt se BE-ja akoma nuk ka përgjigje formale në pyetjen se a është Kosova shtet apo jo. Për 22 vende anëtare është, për 5 nuk është dhe, në këtë rast, fitojnë ato pesë vende që janë në pakicë, sepse raportet me shtetet jashtë BE-së janë çështje për të cilat, në emër të bllokut, vendoset me konsensusin e të gjitha vendeve anëtare.  

Për këtë, kosovarët kanë të drejtë të ndihen të zhgënjyer. Por, në anën tjetër, nuk ka popull që e do BE-në më shumë sesa kosovarët. 

Nëse rikujtohen të gjitha kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës në 27 vjetët e fundit, Kosova ka një rezultat impresiv në pranimin dhe në zbatimin e tyre. Këtë tash nuk e dinë shumë zyrtarë ndërkombëtarë që kërkojnë nga Kosova “të japë diçka”.

Mënyrën se si Kosova erdhi deri te momenti i shpalljes së pavarësisë dhe rolin ndërkombëtar në këtë proces do të duhej ta kuptonin më mirë gjeneratat e reja të politikanëve në Evropë. Atëherë do të kenë më shumë mirëkuptim dhe të mos e përdorin më termin “Shpallje e njëanshme e Pavarësisë”.

Nëse me “shpalljen e njëanshme” e nënkuptojnë faktin se kjo shpallje kishte ndodhur pa pajtimin e Beogradit, atëherë e njëjta mund të thuhet edhe për shpalljen e pavarësisë së Sllovenisë apo Kroacisë. Edhe ato e shpallën pavarësinë pa pëlqimin e Beogradit në atë kohë dhe madje pa koordinim me bashkësinë ndërkombëtare.

Në fund, se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk ishte shkelje e së drejtës ndërkombëtare, e as shkelje e Rezolutës 1244, e tha edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Prandaj, as fqinjët serbë dhe as ndonjë vend tjetër nuk do të duhej më të pretendonin se kjo shpallje ishte e njëanshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.