Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Shqipëria e ka rrugën e gjatë, e Kosova të mbyllur drejt BE-së

Me përjashtim të Malit të Zi, nuk duket në horizont anëtarësimi i shpejtë i ndonjë vendi tjetër të rajonit në BE. Shqipëria do ta shënojë një hap tjetër të madh, me nisjen e mbylljes së kapitujve, por akoma e ka shumë të gjatë rrugën deri tek anëtarësimi eventual. Kosova, çfarëdo të thonë rreth “perspektivës evropiane”, e ka të mbyllur rrugën dhe nuk ka shenja se bllokimi në Këshillin e BE-së nga vendet që nuk e kanë njohur, do të hiqet. Asnjëherë në procesin e zgjerimit të BE-së nuk ka pasur situatë ku kandidatët të jenë në pozicione kaq të ndryshme në rrugëtimin e tyre. Prandaj, edhe pohimet për data të anëtarësimit duhen marrë me shumë rezerva.

Këtë të martë më 14 korrik, në BE do të pohojnë se është bërë një hap i madh në procesin e zgjerimit. Madje do ta quajnë edhe si “super e marta”, duke aluduar në një të martë pranvere në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku votohet për nominacionet për kandidatët për president në shumë shtete. Të martën më 14 korrik në Bruksel do të zhvillohen hiç më pak se katër konferenca ndërqeveritare mes BE-së dhe katër vendeve kandidate. Me dy më të avancuarat në këtë proces, Malin e Zi dhe Shqipërinë, do të mbyllen kapituj, ndërsa me dy kandidate të tjera, Ukrainën dhe Moldavinë, do të hapen disa kapituj.

Për një proces i cili pretendohet të jetë prioritet i BE-së, i cili tash përsëri lidhet edhe me luftën dhe paqen në Evropë, kjo nuk do të duhej të mjaftonte për ta quajtur këtë ditë si historike e as si dëshmi se procesi po vazhdon me ritëm të shpejtë. Sepse në procesin e zgjerimit duhet të merret parasysh edhe ajo që nuk ndodh e jo vetëm ajo që ndodh. Nuk do të ketë konferencë ndërqeveritare dhe nuk do të hapen kapituj me Serbinë, e cila mbetet e bllokuar për më shumë se katër vjet. Nuk do të ketë hapje kapituj as me Maqedoninë e Veriut, edhe pse ajo kriteret i kishte përmbushur para më shumë se 15 vjetësh, por mbetet e bllokuar. Nuk do të ketë lëvizje as për Bosnjë e Hercegovinën, ndërsa Kosova tashmë është harruar se ka aplikuar edhe ajo për anëtarësim, por kërkesën e saj nuk duan ta shqyrtojnë në BE.

Në kohën kur flitet për “momentum të ri në procesin e zgjerimit” nuk po ndodhin kthesa të mëdha pozitive që do të linin përshtypjen se procesi do të rezultojë me ndonjë anëtarësim të ndonjë vendi të ri në BE. Para dy javësh u shënua 13-vjetori i anëtarësimit të Kroacisë në BE dhe ajo mbetet edhe pas 13 vjetësh si “vendi më i ri anëtar”, që do të thotë se qysh nga 1 korriku i vitit 2013 nuk ka pasur zgjerim. Madje, për ironi, BE-ja është tkurrur, sepse nga ajo është larguar Mbretëria e Bashkuar dhe blloku ka rënë në 27 anëtarë, aq sa i kishte pasur para se t’i bashkohet Kroacia.     

Me përjashtim të Malit të Zi nuk duket në horizont anëtarësimi i shpejtë i ndonjë vendi tjetër të rajonit në BE. Shqipëria do të shënojë një hap tjetër të madh, me nisjen e mbylljes së kapitujve, por akoma e ka shumë të gjatë rrugën deri tek anëtarësimi eventual. Kosova, çfarëdo të thonë rreth “perspektivës evropiane” e ka të mbyllur rrugën dhe nuk ka shenja se bllokimi në Këshillin e BE-së nga vendet që nuk e kanë njohur do të hiqet. Asnjëherë në procesin e zgjerimit të BE-së nuk ka pasur situatë ku kandidatët të jenë në pozicione kaq të ndryshme në rrugëtimin e tyre. Prandaj, edhe pohimet për data të anëtarësimit duhen marrë me shumë rezerva.

Madje, edhe data që synohet për Malin e Zi, viti 2028, më duket joreale, ani pse ky vend me dy kapituj që do t’i mbyllë këtë javë, do ta rrisë numrin e kapitujve të mbyllur në 18. Do ta ketë kaluar tamam gjysmën e kapitujve që duhen mbyllur. E tashmë kemi hyrë në gjysmën e dytë të vitit 2026. Për t’u bërë anëtar në vitin 2028, Mali i Zi është dashur t’i ketë mbyllur që tash të gjithë kapitujt, pastaj të shkruhet dhe nënshkruhet traktati i anëtarësimit. Por nëse jo në vitin 2028, atëherë një apo dy vjet më vonë gjasat janë të mëdha që Mali i Zi të bëhet anëtar i ri i BE-së.

Edhe Kolumne 8 muaj më parë Përparimi i shpejtë i Shqipërisë drejt BE-së, kombinim i shumë arsyeve

Nëse në muajin e ardhshëm në Islandë qytetarët vendosin që vendi i tyre të anëtarësohet në BE, edhe ai shtet do t’i rinisë negociatat e anëtarësimit dhe në atë rast do të mund të shkojë shumë shpejt, me mundësinë që në BE të hyjë bashkë me Malin e Zi. Mali i Zi është vend i vogël dhe një qytetari të BE-së anëtarësimi i këtij vendi do t’i kushtonte më pak se 1 euro në vit. Islanda pos që është e vogël, është edhe e pasur dhe BE-së do t’i sillte më shumë mjete sesa që nga ajo do të merrte. Pra, këto vende nuk do të shiheshin si problem për t’i “absorbuar”, siç thuhet në fjalorin e Bashkimit Evropian, dhe nuk do të ishin as barrë financiare për BE-në.

Shqipëria do të bëjë një hap shumë të madh këtë javë, por dallimi mes saj dhe Malit të Zi nuk është zvogëluar. Madje në gjashtë muajt e fundit ky dallim është rritur në favor të Malit të Zi, i cili ndërkohë ka mbyllur disa kapituj të rinj. Prandaj, edhe pse përmendet si “një prej prijësve në procesin e zgjerimit”, perspektiva e anëtarësimit të shpejtë të Shqipërisë në BE nuk është aq e qartë dhe e sigurt sa ajo e Malit të Zi.  Por, kjo nuk duhet ta zvogëlojë aspak rëndësinë që e ka ky hap.   

Në BE vendet anëtare, që të gjitha, janë pajtuar që Shqipëria t’i mbyllë kapitujt për shkenca dhe hulumtimet, arsimi dhe kultura, dhe atë për punë të jashtme.  Dy kapitujt e parë nuk negociohen fare dhe ato më parë janë hapur dhe mbyllur përnjëherë. Madje, ata dy kapituj i ka mbyllur edhe Serbia, e cila akoma nuk i ka hapur të gjithë kapitujt. Nga hyrja në fuqi e metodologjisë së re në procesin e zgjerimit të BE-së asnjë kapitull nuk ka mundur të mbyllet pa u miratuar një raport i ndërmjetëm për përmbushjen e kritereve kalimtare në fushën e rendit dhe ligjit, raport i njohur me shkurtesën IBAR.

Një raport i tillë për Shqipërinë është miratuar me disa muaj vonesë, pasi ka pasur rezerva nga ana e disa shteteve anëtare, por ky miratim së paku ka hapur rrugën që Shqipëria tash të hyjë në fazën e mbylljes së kapitujve, pasi vitin e kaluar kishte bërë një progres të jashtëzakonshëm duke i hapur të gjithë kapitujt. Por, diplomatë nga vendet anëtare edhe në ditën kur ranë dakord për mbylljen e tre kapitujve, kanë përsëritur se “Shqipëria ka disa çështje rreth sundimit të ligjit” dhe se presin që Tirana të sigurojë punën e pavarur dhe të papenguar të gjyqësorit, sidomos të SPAK-ut.

Faza e mbylljes së kapitujve është sfidë shumë më e madhe në procesin e zgjerimit sesa ajo e hapjeve. Dhe për Shqipërinë pikërisht tash fillon testi i vërtetë. Këtë fazë duhet ta kuptojnë seriozisht edhe qeveria, edhe opozita, edhe shoqëria civile akademike, biznesi dhe administrata. Sepse të gjithë do të kenë rol në diktimin e ritmit të këtij procesi. Shqipëria nuk duhet të bjerë në sfidën e rrezikimit të procesit duke e politizuar atë tej mase dhe duke e shndërruar në një objekt të konfliktit të brendshëm politikë.

Edhe Shqipëria nis fazë të re të integrimit në BE – mbyll kapitujt e parë negociues Arbëri 2 d. më parë Shqipëria nis fazë të re të integrimit në BE – mbyll kapitujt e parë negociues

Bashkimi Evropian negocion me shtetet, e jo me partitë politike. Kush është në momentin e caktuar në pushtet e kush në opozitë kjo nuk është punë e BE-së. Sa më shumë të ketë mobilizim shoqëror, politik, akademik dhe biznesor në Shqipëri, aq më shpejt do të rrjedhë procesi. Suksesi tash më nuk varet nga imazhi i mirë apo i keq i vendit, nga protestat apo koncertet, nga numri i turistëve apo simpatia e ndonjë politikani të huaj. Do të varet nga përmbushja e kritereve që në rastin e Shqipërisë janë shumë strikte. Se ku ndodhet Shqipëria saktësisht, do ta dëshmojë në vjeshtë Raporti vjetor i Progresit i Komisionit Evropian. Ai do të duhet të jetë shumë më i mirë sesa ai i vitit të kaluar, nëse Shqipëria dëshiron vërtet t’i mbyllë negociatat deri në vitin 2028 për t’u bërë anëtare para vitit 2030. Raporti i vitit ta kaluar nuk ishte aq i mirë, por për përmbajtjen e tij nuk ka pasur shumë interesim, në Shqipëri mjaftohet me informacionet që merren nga postimet në rrjete sociale të qeverisë apo nga komentet gjithmonë negative të opozitës. Njëra palë e paraqet procesin tepër pozitiv në mënyrë joreale, e tjetra sigurt i gëzohet dështimit. Pohimet për “suksesin historik të Shqipërisë, që dëgjohen edhe nga Brukseli janë slogane. Ato vijnë kryesisht nga politikanë në Bruksel, të cilët në proces nuk kanë shumë ndikim. U pa në rastin e Serbisë se as ndihma e madhe e Komisionit Evropian, as mbështetja e madhe e Francës, Italisë, Gjermanisë, Spanjës e Polonisë, as presioni i madh nga niveli më i lartë në BE nuk mjaftojnë që të zhbllokohet rruga e Serbisë drejt BE-së. Dolën ca shtete të cilat nuk duan, sepse nuk besojnë në objektivitetin e Komisionit Evropian dhe nuk mbështesin një zbukurim të tepruar të realitetit në Serbi që ka bërë kësaj radhe Komisioni Evropian me udhëzime politike nga fuqitë më të mëdha të BE-së. Procesi i zgjerimit është i strukturuar në atë mënyrë që vendos pakica e jo shumica. Dhe për të arritur në fund të rrugës, nuk mjafton të përmbushen shumica e kritereve. E as të fitohet mbështetja e shumicës, por duhet të përmbushen të gjitha kriteret e të ketë mbështetje nga të gjitha shtetet e BE-së.

Se pakica vendos, po e ndien në lëkurën e saj më së miri Kosova, e cila ka mbetur e bllokuar për shkak se nuk njihet nga 5 vendet anëtare. Ato, apo së paku disa prej tyre, nuk lejojnë që as të përmendet dhënia e statusit të kandidatit për Kosovën. E edhe disa prej atyre vendeve që e kanë njohur Kosovën sillen sikur të kenë harruar se e kanë bërë një gjë të tillë, ky është realiteti ndërsa të tjerat janë slogane, ngado që vijnë.