Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Zgjerimi i BE-së me plot ide, por pa suksese konkrete

Jashtë BE-së janë dy lloj shtetesh evropiane. Në njërën anë janë ato që kanë mundësi të jenë vende anëtare, por nuk duan. E në anën tjetër, ato që duan, por nuk kanë mundësi. Nga të dyja këto grupe ka dalë nga një kandidat apo kandidat potencial që së shpejti mund të hyjë në BE. Mali i Zi, i cili është afër fazës së mbylljes së negociatave pas shumë vjetësh dhe Islanda e cila, nëse përsëri shpreh dëshirën, mund të bëhet shpejt vend anëtar

Në qarqet diplomatike dhe burokratike në Bruksel kanë filluar të shfaqin dilemën cili do të jetë shteti i 28-të anëtar i Bashkimit Evropian. Para 13 vitesh këtë numër rendor si vend anëtar e pati marr Kroacia. Ajo hyri në BE më 1 korrik të vitit 2013 dhe vazhdon që atëherë të jetë vendi më i ri anëtar. Asnjëherë në historinë e BE-së nuk ka ndodhur të kalojnë aq shumë vjet pa u zgjeruar ky bllok. Kështu Kroacia e ka thyer rekordin për nga stazhi i “vendit më të ri anëtar”. Por që nga anëtarësimi i Kroacisë asnjëherë nuk është folur më shumë për procesin e zgjerimit sesa që flitet sot. Dhe asnjëherë nuk ka pasur më shumë mbështetje për të pranuar vende të reja anëtare sesa që ka tash, megjithëse ajo mbështetje nuk është aq shumë e madhe. Kjo dëshmon se që nga viti 2004 kur ndodhi “zgjerimi i madh” e deri para dy vjetësh, vërtet kishte një lodhje nga zgjerimi dhe nuk kishte mbështetje për këtë proces as nga qytetarët e vendeve të shumta anëtare e as nga elitat politike. Mbase kundërshtimi nga ana e qytetarëve ndikonte në skepticizimin e elitave politike dhe anasjelltas.

Lufta në Ukrainë ka ndikuar pa dyshim që edhe politikanët, edhe qytetarët të kuptojnë se zgjerimi nuk është vetëm një proces ku përmbushen disa kushte teknike, por një investim në paqe dhe stabilitet afatgjatë në tërë kontinentin e Evropës. Dhe kjo ka ndikuar në rritjen e mbështetjes.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por përkundër fjalëve të mëdha, premtimeve shpesh joreale për anëtarësim të shpejtë të disa vendeve, progres konkret të matshëm me zgjerimin e vërtetë nuk ka pasur. Dhe sot debati ka krijuar më shumë paqartësi rreth epilogut të zgjerimit sesa që e ka bërë të qartë se kur dhe me çfarë kushtesh do të mund të zgjerohet BE-ja duke pranuar anëtarë të rinj në gjirin e saj.

Sot debati rreth zgjerimit ka krijuar edhe pritje se shumë shpejtë BE-ja do të pranojë anëtarë të ri dhe paralelisht e paradoksalisht se nuk do të ketë më zgjerim sipas rregullave ekzistuese dhe vendet e reja anëtare mund të hynë vetëm pa status të plotë formal të vendit anëtar. 

Jashtë BE-së janë dy lloj shtetesh evropiane. Në njërën anë janë ato që kanë mundësi të jenë vende anëtare, por nuk duan. E në anën tjetër ato që duan por nuk kanë mundësi. Nga të dyja këto grupe ka dalë nga një kandidat apo kandidat potencial që së shpejti mund të hyjë në BE. Mali i Zi i cili është afër fazës së mbylljes së negociatave pas shumë vjetësh dhe Islanda e cila, nëse përsëri shpreh dëshirën, mund të bëhet shpejt vend anëtar.

Mali i Zi është i vetmuar si prijës (front runner) në procesin e zgjerimit sipas rregullave ekzistuese. Edhe pse shpesh epiteti “front runner” me vlerësimet se ka bërë “progres të paparë” përmendet edhe Shqipëria, dallimi mes Malit të Zi dhe Shqipërisë megjithatë është i madh. Mali i Zi i ka të hapur të gjithë kapitujt negociues dhe i ka mbyllur deri me tash 14 prej tyre. Deri në muajin qershor pritet të mbyllë së paku edhe gjashtë të tjerë dhe në këtë mënyrë t’i afrohet përmbylljes së procesit të negociatave të anëtarësimit.

Shqipëria ka hapur vitin e kaluar të gjitha kapitujt dhe tash është në pritje të nisë mbylljen e tyre. Por për të mbyllur cilindo kapitull, Shqipëria duhet të ketë një raport pozitiv për përmbushjen e kritereve kalimtare nga fusha e sundimit të ligjit (IBAR). Komisioni Evropian e ka bërë një raport të tillë por ai duhet të pranohet nga vendet anëtare. E aty ka ngecur miratimi i tij, sepse disa shtete duan më shumë dëshmi se sundimi i ligjit në Shqipëri nuk pengohet. Edhe pse do të ishte ekzagjerim të flitet për bllokimin e Shqipërisë, është gabim të thuhet se Shqipëria ka marrë “dritën jeshile” pasi vlerësimi i Komisionit, sado i rëndësishëm të jetë, nuk mjafton për të hapur dyert. Për shembull, Komisioni Evropian “dritën jeshile” për hapjen e një grup-kapitulli me Serbinë e ka bërë para 5 vjetësh dhe akoma nuk është pranuar një gjë e tillë nga vendet anëtare. Pasi tashmë kaluan tre muaj të vitit 2026 dhe Shqipëria nuk e ka të miratuar një IBAR, gjithnjë e më shumë dallimi mes Malit të Zi dhe Shqipërisë po thellohet. Prandaj, nëse do të ketë zgjerim sipas rregullave ekzistuese, Mali i Zi ka gjasat më reale për t’u bërë vend i 28-të anëtar.

Në anën tjetër është Islanda, e cila po ashtu mund të bëhet vend i 28-të anëtar. Islanda në procesin e zgjerimit kishte hyrë në vitin 2009 pas krizës financiare. Në atë kohë në atë shtet shumë të pasur dhe të zhvilluar, papunësia ishte rritur mbi 10 për qind, ndërsa inflacioni ishte ngritur në 17 për qind. Pasi nuk ishte vend anëtar, Islanda nuk kishte mundësi të përdorë programe shpëtimi të BE-së çfarë iu dhanë Greqisë. Nga frika, Islanda vendosi të aplikojë për anëtarësim, nisi negociatat dhe ishte shumë afër të bëhej vend anëtar. Në atë kohë madje pritej të hynte në BE bashkë me Kroacinë dhe flitej se cili do të jetë vendi i 28-të anëtar. Por kur kriza kaloi, kur papunësia ra nën 5 për qind dhe inflacioni u zhduk, Islanda vendosi të ndërpresë në mënyrë unilaterale negociatat dhe të njoftojë BE-në se nuk e ka më qëllimin që të anëtarësohet. Tash në Islandë ekziston një frikë tjetër, ajo e ndikuar nga kërcënimet amerikane ndaj Grenlandës, e cila po ndikon në rritjen e mbështetjes për anëtarësim në BE. Dhe qeveria e tashme në Rejkjavik ka paralajmëruar se në verë do të mbajë një referendum dhe nëse qytetarët vendosin do të kërkojë përsëri anëtarësim në BE, duke marrë parasysh se Islanda është edhe pjesë e tregut të përbashkët, edhe e Schengenit, dhe i plotëson edhe formalisht pothuajse të gjitha kushtet, mund të bëhet shpejt vend anëtar.

Po të duan edhe Zvicra dhe Norvegjia shumë shpejtë do të mund të bëheshin vende anëtare. Por ato, sikur edhe Islanda, janë më të pasura sesa mesatarja e BE-së dhe si anëtare formale më shumë do të kontribuonin sesa që do të përfitonin financiarisht nga buxheti i përbashkët i bllokut.

Sa u përket vendeve të tjera, debati më i madh është rreth Ukrainës. Fakti se është në luftë bën që të ketë shumë simpati për atë shtet. Por pasi është një shtet aq i madh, dhe jo edhe aq i zhvilluar sipas standardeve të BE-së, ka nisur një kujdes në disa vende anëtare rreth anëtarësimit të shpejtë të saj në BE. Ideja që të ketë një “zgjerim rivers”, pra të pranohet menjëherë në BE, e pastaj të vazhdojë t’i përmbushë kushtet, është hedhur poshtë. Dhe ka qenë joreale e madje edhe e papërgjegjshme që të flitet për mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në BE që në fillim të viti 2027. Kanë mbetur vetëm edhe 9 muaj e Ukraina akoma as nuk e ka hapur formalisht asnjë kapitull.

Procesi i zgjerimit është politik, por paralelisht edhe proces i bazuar në meritat individuale. Shumë gjëra mund të tejkalohen me vullnet politik, por jo gjithçka. Prandaj, edhe në këtë moment ka aq shumë paqartësi rreth procesit të zgjerimit. E këto paqartësi do të vazhdojnë. Derisa të mos ketë rregulla të reja, procesi vazhdon me ato ekzistuese e sipas tyre, realisht në BE mund të hyjnë së shpejti Mali i Zi dhe Islanda po të dojë.