Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Komuna mbyll të gjitha vendpunishtet pas shembjes së rrugës “Don Shtjefën Kurti”

Rikthehet furnizimi me rrymë pas ndërprerjes si pasojë e shembjes së rrugës “Don Shtjefën Kurti”

Komuna e Prishtinës ka marrë vendim për mbylljen e përkohshme të të gjitha vendpunishteve në kryeqytet, ndërsa dy inspektorë dhe një zyrtar përgjegjës janë pezulluar. Pas shembjes në rrugën “Don Shtjefën Kurti”, Prokuroria ka nisur hetimet, teksa disa lagje kanë mbetur pa ujë dhe energji elektrike për orë të tëra si pasojë e dëmeve

Pas shembjes së një pjese të rrugës “Don Shtjefën Kurti”, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se do të mbyllen përkohësisht të gjitha vendpunishtet në kryeqytet.

Rama ka bërë të ditur se që në mëngjesin e së martës ka ftuar drejtorët e Komunës dhe ka marrë vendim për krijimin e “Komisionit për Vlerësimin Emergjent të të gjitha vendpunishteve në territorin e Komunës së Prishtinës”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ato do t’i nënshtrohen një analize të detajuar institucionale, e cila mund të rezultojë deri në revokim të lejes së ndërtimit! Çdo inspektor komunal që nuk ka raportuar çfarëdo parregullsie në terren do të mbahet përgjegjës. Ftoj të gjitha subjektet ndërtimore që të bashkëpunojnë plotësisht me institucionet dhe të respektojnë ligjin”, ka thënë Rama.

Ai po ashtu ka thënë se janë pezulluar nga puna dy inspektorët e zonës ku ka ndodhur rasti, si dhe zyrtari përgjegjës për lëndën.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se për rastin ka nisur hetimet dhe është intervistuar edhe pronari i kompanisë që ishte duke kryer punimet

“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se është autorizuar Policia e Kosovës dhe është intervistuar personi përgjegjës i kompanisë. Prokurori i Shtetit ka iniciuar rastin për veprën penale ‘’Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’’, nga neni 356 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Si pasojë e kësaj shembjeje, shumë lagje të kryeqytetit kanë mbetur pa energji elektrike dhe pa ujë që nga pasditja e së dielës.

Zëdhënësja e KRU “Prishtina” ka mohuar deklaratat e drejtorit të emergjencave Lulëzim Fushtica, sipas të cilit në vendin ku ndodhi shembja ka pasur rrjedhje të ujit.

E pyetur nëse do të kërkohet kompensim, ajo ka deklaruar se pas sanimit të problemit, inxhinierë të specializuar të KRU “Prishtina” do të bëjnë vlerësimin e dëmit.

“Ka pasur edhe zëra që aty ka pasur edhe rrjedhje të ujit dhe ajo e ka shkaktuar shembjen. Aty shihet qartë se janë gërmimet dhe ndoshta edhe gërmimet e kanë dëmtuar ndonjë gyp paraprakisht të ujësjellësit dhe ka mundur të ketë rrjedhje të ujit, por ekipet tona janë në terren për ta bërë sanimin e gypit, që i kanë lënë një numër të madh të banorëve pa ujë të pijshëm”, ka thënë Mjeku

KOHA ka pyetur edhe KOSTT-in për vlerën e dëmit dhe nëse do të kërkohet kompensim, por gjatë ditës nuk ka marrë përgjigje.

E udhëheqësi i Rrjetit Sizmologjik të Kosovës, Shemsi Mustafa, ka thënë se pilotët (shtyllat pingule prej betoni) nuk kanë qenë të futur mjaftueshëm në tokë, gjë që, sipas tij, tregon papërgjegjësi.

“Këtë që e pamë dje mua më tregon nëse janë bërë studimet gjeomekanike dhe nëse ka pasur projekt, atëherë përgjegjësia bie tek ekzekutuesi i punëve, sepse janë shpërfillur kriteret që kanë dalë nga studimet gjeomekanike. Nëse janë bërë studimet gjeomekanike, por pasi të ndodhë kjo duhet të merren parasysh shumë parametra”, ka thënë ai.

Kjo nuk është hera e parë që ndodhin shembje dheu në kryeqytet. Edhe viteve të kaluara ka pasur raste të ngjashme në lagjen “Velania” dhe në “Arbëri”.