Kronikë

Aksioni policor në Gjilan, arrestohen 21 persona që ishin në kërkim nga organet e drejtësisë

Arrestim - policia - bastisje - arrest

Foto-Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Të paktën 21 persona të shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë, janë arrestuar në një aksion të gjerë në Gjilan. 

Sipas njoftimit policor, arrestimet janë kryer në kuadër të planit operativ të posaçëm për ekzekutimin e urdhëresave gjyqësore, operacione që janë zhvilluar nga 13 maji deri më 13 gusht.

“Gjatë periudhës 13.05.2025 deri më 13.08.2025, përmes veprimeve operative të planifikuara dhe të koordinuara në terren, janë realizuar disa operacione policore, të cilat kanë rezultuar me lokalizimin dhe arrestimin e 21 personave të shpallur në kërkim nga gjykatat kompetente”, thuhet në njoftim.

Policia tutje ka bërë të ditur se personat e arrestuar kanë qenë të dënuar me masa burgimi nga një deri në pesë vjet e gjashtë muaj, për vepra të ndryshme penale, përfshirë: Vrasje në tentativë, trafikim me njerëz, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, bashkësi jashtëmartesore me person nën moshën 16 vjeç, vjedhje e Vjedhje të rënda, si dhe vepra të tjera penale.

Pas përfundimit së procedurave ligjore, të gjithë të arrestuarit janë dërguar për vuajtje të dënimit.