Kronikë

Aktakuzë ndaj Millosh Antoviqit për sulm ndaj KFOR-it e Policisë së Kosovës

KFOR-i në Zveçan / 2023

KFOR-i në Zveçan / 2023

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Millosh Antoviqit për përfshirje në sulmin e dhunshëm të 29 majit 2023 në komunën e Zveçanit, ku u lëndua dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës.

Sipas aktakuzës së dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Antoviq akuzohet për katër vepra penale: “Sulm ndaj personit zyrtar”, “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale – huliganizëm”, “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve” dhe “Posedim i paautorizuar i armëve”.

Ngjarja, e cila ndodhi në afërsi të ndërtesës komunale në Zveçan, përshkallëzoi në dhunë serioze, ku Antoviq, së bashku me të pandehur të tjerë, sipas Prokurorisë, ka përdorur shufra, kokteje molotovi, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri për të sulmuar forcat e sigurisë, duke mos iu bindur urdhrave të KFOR-it për shpërndarje paqësore të turmës.

Si pasojë, janë lënduar të paktën 30 ushtarë të KFOR-it dhe disa zyrtarë të Policisë së Kosovës, ndërsa janë shkaktuar dëme të mëdha materiale, përfshirë automjete të policisë dhe të gazetarëve që mbulonin protestën.

Gjatë hetimeve, ndaj të pandehurit janë sekuestruar armë zjarri dhe substanca narkotike, për të cilat Prokuroria ka kërkuar konfiskim dhe shkatërrim ligjor.

PSRK gjithashtu ka propozuar që të vazhdohet masa e paraburgimit ndaj Antoviqit deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, për shkak të natyrës së rëndë të veprave dhe rrezikut të përsëritjes së tyre.