Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë persona të cilët dyshohen për mashtrim të shtetasve të huaj, ndërkaq njëri prej tyre edhe për armëmbajtje.
Sipas njoftimit për media, të pandehurit akuzohen se në bashkëveprim, nga një periudhë e papërcaktuar kohore e deri në shkurt të 2024-ës, kanë mashtruar shtetas të vendeve të ndryshme evropiane, kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra, duke përfituar kundërligjshëm mjete financiare në vlerë prej 2,067.271 euro.
“Sipas aktakuzës, të pandehurit duke u paraqitur rrejshëm si kompani investimesh, kanë kontaktuar viktimat dhe i kanë bindur të investojnë në platformat ‘Option888’ dhe ‘Krack’. Gjithashtu, pasi kanë përfituar qasje nga viktimat në aplikacionet e tyre, kanë manipuluar të dhënat, duke i paraqitur investimet (fiktive) në rritje”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se hetimet kanë vërtetuar se parat e të dëmtuarve, të transferuara përmes platformës “Krack”, janë ndarë mes të gjithë të pandehurve.