Kronikë

Aktakuza ndaj shtetasit turk në Prizren: Me thikë kuzhine e preu në qafë vajzën e vet

Vendi ku ndodhi krimi

Vendi ku ndodhi krimi

Prokuroria Themelore në Prizren të enjten ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj M.G (shtetas turk), pasi akuzohet se vrau me thikë vajzën e tij, sulmoi edhe vajzën tjetër dhe bashkëshorten.

Sipas aktakuzës, M.G në mëngjesin e 6 majit të këtij viti, pasi fali namazin, shkoi në dhomën e vajzave të tij dhe teksa po flinin, e sulmoi Sh.G e cila nga britmat e zgjoi motrën e saj, e cila poashtu u sulmua nga babai.

I akuzuari, fillimisht hyri në kuzhinë dhe mori një thikë me të cilën i sulmoi.

“Sipas aktakuzës, më 06 maj 2025, rreth orës 05:30 të mëngjesit, në rrugën “Shote Galica” në Prizren, në banesën ku i pandehuri jetonte bashkë me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij, me dashje e privon nga jeta anëtarin e familjes, përkatësisht vajzën e tij, ashtu që në orët e hershme të mëngjesit, menjëherë pas kryerjes së ritualit të faljes së namazit, i pandehuri me dashje ka marrë një thikë kuzhine me gjatësi të tehut rreth 23 centimetra, të cilën familja e përdorte për prerjen e mishit, dhe niset në drejtim të sallonit të banesës, ku ishin duke fjetur vajzat e tij, viktima Sh.G., dhe e dëmtuara A.R. I pandehuri, duke shfrytëzuar momentin kur vajzat ishin në gjumë, afrohet pranë shtratit dhe e sulmon me thikë viktimën Sh.G., duke e prerë në qafë”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftimin për ngritje të aktakuzës, poashtu thuhet se M.G e sulmoi dhe bashkëshorten e tij e cila u zgjua nga britmat e vajzave.

“Në momentin kur viktima Sh.G., fillon të bërtasë zgjohet nga gjumi e dëmtuara -vajza tjetër A.G., e cila tenton ta pengojë të pandehurin në veprimet e tij. I pandehuri më pas e godet edhe atë me të njëjtën thikë, duke i shkaktuar plagë prerëse dhe shpuese në të dy anët e qafës. Nga klithmat e vajzave zgjohet edhe bashkëshortja e tij, R.G., e cila hynë në sallon dhe tenton ta ndalojë të pandehurin, gjatë së cilës pëson lëndime në fytyrë dhe në dorën e majtë. Pas një përleshjeje të shkurtër, e dëmtuara R.G., ka arrinë ta shtyjë të pandehurin në dhomën e gjumit, ku e mbyll dhe bllokon derën me orendi, duke siguruar kështu mundësinë për të telefonuar për ndihmë”, thuhet mes tjerash.

Si pasojë e plagëve të marra, viktima Sh.G kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.