Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Y.M., për shkak të dyshimit për fajde dhe posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas aktakuzës, Y.M. nga 31 dhjetori 2024 e deri më 16 prill 2025 në fshatin Reshtan të Suharekës, ka kontraktuar një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarit S.Sh.
I dëmtuari nga i pandehuri kishte marrë të holla në shumë prej 2.500 euro, me kamatë mujore me interes në shumë prej 250 euro, pastaj për shkak vonesave që ka pasur i dëmtuari në kthimin e huasë bashkë me interesin, kamata mujore i ka arritur në 500 euro.
“I pandehuri për sigurimin e huasë bashkë me interesin, me datë 16.04.2025 takohet me të dëmtuarin ku i dëmtuari në emër të fajdesë ia jep shumën prej 1.000 € të pandehurit i cili pastaj me paratë e marra nga i dëmtuari arrestohet në flagrancë nga policia. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale ‘Fajdeja’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Po ashtu, i pandehuri Y.M., ka poseduar edhe armë. Policia në automjetin e tij ka gjetur një pistoletë, një karikatorë i zbrazët, një fishekë i armëve të gjata dhe dy fishekë të pistoletës.
Ndërsa, gjatë kontrollimit të banesës së tij, janë gjetur: një pistoletë e modelit Rohm RG96, kalibrit 9mm; një karikator i pistoletës me 9 fishekë, 45 fishekë për arme te gjata, një kuti plastike ne të cilën gjendeshin brenda 36 fishekë të pistoletës, me mbishkrim G.F.L 9mm, Luger, një armë zjarri e gjatë, një karikatorë i armëve të gjata (skorpionit) me një fishekë, me mbishkrim në baze G.F.L, 9mm Luger.
Me urdhër të gjykatës janë konfiskuar automjeti i të pandehurit, 250 euro, 40 franga, 5 dollarë, dy telefona dhe armët.