Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një të dyshuar për zjarrvënie në autoambulancën e Qendrës së Mjekësisë Famiuljare në fshatin Ratkoc të Rahovecit në orët e para të së dielës.
Rreth orës 2:40 të së dielës Policia kishte marrë informata për një autoambulancë të përfshirë nga zjarri në QMF të Ratkoc. Si pasojë kishte pësuar dëme materiale edhe objekti i QMF-së.
Zjarri ishte lokalizuar dhe nuk pati të lënduar.
E rreth orës 18:50, Policia ka arrestuar të dyshuarin H.H. Ai ishte arrestuar në një zonë malore, në afërsi të pikës kufitare “Qafë Prush”.
“Si rezultat i hetimeve në vendin e ngjarjes dhe provave të siguruara, është identifikuar një person i dyshuar, i cili për motive ende të panjohura dyshohet se i ka vënë flakën autoambulancës. Më vonë, falë veprimeve operative të zyrtarëve policorë nga Stacioni Policor në Gjakovë, rreth orës 18:50, i dyshuari me inicialet H.H., mashkull i moshës madhore, është arrestuar. Gjatë arrestimit, i dyshuari ka tentuar t’u ikë zyrtarëve policorë, por është ndaluar pas një ndjekjeje në një zonë malore, në afërsi të pikës kufitare “Qafë Prush”. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ai është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbardhjen e plotë të rasteve penale dhe në garantimin e rendit dhe sigurisë publike”, ka njoftuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.