Kronikë

Arrestohet në Bërnjak një i dyshuar për falsifikim dokumentesh dhe pjesëmarrje në grup kriminal

arrest

Ilustrim

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, është ndaluar për 48 orë personi me inicialet V.E., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal”.

I dyshuari është arrestuar të shtunën mbrëma në pikën kufitare të Bërnjakut, në kuadër të hetimeve të zgjeruara që lidhen me rastin e janarit 2025, kur autoritetet kishin zbuluar një laborator të specializuar për falsifikim dokumentesh.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, ekziston dyshimi i bazuar se nga një periudhë e pacaktuar e deri më 24 janar 2025, V.E., në bashkëpunim me persona të tjerë, ka vepruar si pjesë e një grupi të organizuar kriminal që ka prodhuar dhe shpërndarë dokumente të falsifikuara të rreth 50 shteteve të ndryshme të botës.

Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Hetimet po vazhdojnë në koordinim mes Prokurorisë Speciale dhe Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, me qëllim të ndriçimit të plotë të rastit dhe identifikimit të personave të tjerë të përfshirë.