Një person është arrestuar të martën në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, pas dyshimeve për posedim të armës së zjarrit. Policia e Kosovës ka njoftuar se ndaj tij është ndërmarrë një aksion kontrolli, gjatë të cilit, megjithëse nuk është gjetur armë, janë sekuestruar pajisje ushtarake.
Sipas njoftimit të Policisë, më 1 korrik, rreth orës 15:00, stacioni policor në Shtime ka pranuar informacione se një person me banim në Reçak shfaqej në një fotografi duke mbajtur një armë zjarri. Në bazë të kësaj, me autorizim të prokurorit të shtetit, njësitë policore kanë realizuar kontroll në shtëpinë e të dyshuarit.
“Gjatë kontrollit nuk është gjetur armë zjarri, por janë sekuestruar dy uniforma ushtarake (kamuflazh), tre jelekë taktikë dhe disa pajisje të tjera”, thuhet në njoftimin e Policisë.
I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.