Kronikë

Avokati Berisha: Arkitekt i vrasjes së Rexhepit ka qenë Nexhati, ekzekutues Jetoni

Gjykata e Apelit ka nisur të enjten shqyrtimin e ankesave të mbrojtësve të të akuzuarve Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, të cilët në shkallë të parë janë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen dhe më pas fshehjen e trupit të pajetë të biznesmenit Bedri Rexhepi. Avokati i familjes Rexhepi ka thënë se për vrasje të këtillë nuk mund të ketë dënim tjetër përpos me burgim të përjetshëm

Familjarë të të ndjerit Bedri Rexhepi janë përballur të enjten sërish në gjykatë me Jeton dhe Nexhat Vllasaliun, të cilët për vrasjen e biznesmenit u patën dënuar në shkallë të parë me burgim të përjetshëm.

Ankesat e të dyshuarve për vrasjen e rëndë dhe për fshehje të trupit të Rexhepit janë shqyrtuar nga Gjykata e Apelit. Familjarë të viktimës e kanë mohuar secilën deklaratë shfajësuese që e kanë dhënë avokatët.

Florent Latifaj, i cili është avokat i të pandehurit Jeton Vllasaliu, ka thënë se aktgjykimit të Themelores i mungojnë provat.

“Aktgjykimi apo elaborimi i provave, dëshmive të elaborara gjatë këtij procesi gjyqësor mungojnë në tërësi”, ka theksuar Latifaj.

E avokatja e Nexhat Vllasaliut, Kosovare Kelmendi, ka thënë se asnjëri nga dëshmitarët nuk e ka përmendur klientin e saj si pjesëmarrës në krim.

“Si ka mundësi në 114 faqe, Gjykata të mos jetë në gjendje fillimisht as Prokuroria të vërtetojë, të ofrojë një provë kur është bërë kjo marrëveshje, si është bërë kjo marrëveshje, si është arritur, cili është kontributi prej secilit të akuzuar”, ka thënë avokatja Kelmendi.

Ekipi mbrojtës ka kërkuar që për këtë rast të zhvillohet rigjykim.

Por qëndrim të kundërt ka shprehur avokati Besnik Berisha, i cili e përfaqëson familjen e biznesmenit të vrarë, Bedri Rexhepi.

“Ky vetë e pranon. Data 8, e pranon kuzhinën, e pranon katin e tretë, e pranon perden, veturën dhe e thotë një sentencë të rëndësishme: ‘I qofsh falë kësaj xhenaze, i thotë Nexhati, se krejt shpinë e kisha kallë’, gjatë kohës kur këta nga kati i tretë përpiqeshin ta nxirrnin jashtë kufomën e Bedri Rexhepit”, ka theksuar avokati Berisha.

Sipas aktakuzës, Rexhepi është vënë në lajthitje nga vëllezërit Vllasaliu për shitjen e dy veturave, në vlerë prej 30 mijë eurosh. Më 8 prill të 2021-tës, ai ka shkuar në shtëpinë e njërit nga të pandehurit. Aty, sipas aktakuzës, Jeton Vllasaliu e ka ngufatur Rexhepin, duke menduar se ai e ka me vete shumën prej 30 mijë eurosh. Viktimës i janë gjetur 8 mijë euro.

Sipas aktakuzës, vëllezërit i kanë ndarë këto mjete financiare, ndërsa trupin e pajetë fillimisht e kanë dërguar në katin e tretë të shtëpisë dhe më pas kanë synuar që ta fshihnin krimin, duke e varrosur viktimën.

Avokati Berisha ka thënë se dënimi me burgim të përjetshëm është më i pakti për këtë rast.

“Përballë një krimi në pabesi, përballë një krimi kur u ftua si mik e doli si një kufomë që u shëtit malit të Vllasalisë. Arkitekti ka qenë Nexhati e ekzekutuesi ka qenë Jetoni. Ky krim është kryer në mënyrë të sofistikuar”, ka theksuar avokati Berisha.

Sipas aktakuzës, Nexhat Vllasaliu e ka dërguar veturën e Rexhepit në arat e fshatit Shushicë të Graçanicës, duke u koordinuar vazhdimisht me të vëllain, Jetonin.

Pas më shumë se një viti nga vrasja, mbetjet mortore të Rexhepit janë gjetur në vendin e quajtur Mali i Madh, në Vllasali të Novobërdës.