Kronikë

Besnik Salihu dënohet me 25 vjet burgim për vrasjen në Dumnicë të Podujevës

Besnik Salihu

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 25 vjet burgim Besnik Salihun për vrasjen në Dunicë të Podujevës tri vjet më parë, ndërsa vëllai i tij Ilaz Salihu është liruar nga akuza. 

Salihu është shpallur fajtor se më 26 mars të vitit 2023 vrau me armë zjarri, duke e qëlluar dy herë në kokë, S.S. 

Salihu u dënua me 24 vjet burgim për vrasje dhe një vit e 6 muaj për “armëmbajtje pa leje”. Gjykata shpalli një dënim unik prej 25 vjetëve burgim.

“Sipas aktakuzës, më 26 mars 2023, rreth orës 18:08, në fshatin Dumnicë e Epërme, Komuna e Podujevës, pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarit Besnik Salihu dhe tani të ndjerit S.S., i akuzuari në mënyrë dinake dhe papritur iu afrua të ndjerit S.S. me qëllim që t’i merrte jetën. Në aktakuzë thuhet se i akuzuari kishte shtënë me armë zjarri, duke qëlluar dy herë në kokë tani të ndjerin S.S., një herë me pistoletë në anën e majtë të kokës dhe një herë me armë të gjatë nën mjekër, duke i shkaktuar gjakderdhje masive të jashtme trunore. Për shkak të plagëve të marra nga predhat e shkrepura në kokë, tani i ndjeri S.S. ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa i akuzuari Besnik u largua nga vendi i ngjarjes”, thuhet në aktakuzë. 

Në aktakuzë u tha se i pandehuri Ilaz Salihu, në vendin, kohën dhe mënyrën e përshkruar në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, me dashje ndihmoi vëllain e tij, të akuzuarin Besnik, duke i premtuar se do të fshehë provat e kryerjes së veprës penale. Por, Ilaz Salihu u lirua nga akuzat. 
Palët kanë 30 ditë afat për ankesë.