Rreth dy vjet pas vrasjes në Prizren të Armenda Aliut, bashkëshorti i saj këtë të premte është dënuar me burgim të përjetshëm. Bajram Veliaj, i cili shtiu 15 herë në drejtim të bashkëshortes së tij, u shpall fajtor për veprat penale “Vrasje e rëndë” e “Armëmbajtje pa leje”
Dënim maksimal i është shqiptuar këtë të premte Bajram Veliajt për vrasjen e bashkëshortes së tij, Armenda Aliu. Gjykata Themelore në Prizren, me aktgjykim e ka shpallur fajtor Veliajn, për veprat penale “Vrasje e rëndë” e “Armëmbajtje pa leje”, duke e dënuar me burgim të përjetshëm.
Gjyqtarja Raime Elezi ka thënë se të njëjtit i është konfiskuar edhe arma, me të cilën e ka kryer krimin.
“Të dëmtuarat Diellza e Bardha Hoti, për realizimin e kërkesës pasurore juridike, udhëzohen në kontekstin e rregullt civil. Ndaj të akuzuarit Bajram Veliaj, vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi. Prej të akuzuarit Bajram Veliaj konfiskohet pistoleta”, ka thënë ajo.
Pas leximit të aktgjykimit, gjyqtarja e ka arsyetuar vendimin, duke treguar se nuk kanë gjetur rrethana lehtësuese, por vetëm ato rënduese. Në arsyetimin e trupit gjykues, përmendej edhe që Veliaj, pasi që e kishte kryer veprën kishte telefonuar motrën e viktimës, duke i treguar për vrasjen.
“Ka gjetur rrezikun shoqëror të veprës, duke pasur parasysh mënyrën e kryerjes së veprës penale, ku i akuzuari gjatë shtënies, nuk ishte i kënaqur deri në plumbin e 15. Shkallën e rrezikut të vlerës së mbrojtur, sjelljen e tij të kryer pas veprës penale, ku është shprehur me gjakftohtësi dhe guxim të madh në momentin kur thërret anëtarin e ngushtë të familjes së saj”, është shprehur gjyqtarja Elezi.
Të pranishëm gjatë kësaj seance ishin familjarë të Armenda Aliut, por aty nuk u panë edhe dy vajzat e saj. Ata nuk kanë dashur të flasin për shkak të ndjeshmërisë së rastit.
Avokati mbrojtës i Bajram Veliajt, Orhan Rekathati ka thënë se do të dërgojnë ankesë në Gjykatën e Apelit.
“Prej fillimit i akuzuari e mohoi elementin inkrimunes të dashjes. Pasi të marrim aktgjykimin, do të vlerësojmë edhe do të shohim a do të bëjmë ankesë a jo, por qëndrimi ynë dhe i të akuzuarit është që të bëhet ankesa”, është shprehur ai.
Veliaj, dy ditë më parë, në seancën ku u mbajt fjala përfundimtare, kishte kërkuar dënim të lehtë, duke thënë se veprën nuk e kishte kryer me dashje, gjë që nuk është marrë parasysh nga gjykata.
“Për hir të moshës që kam dhe disa sëmundjeve kronike, që nuk janë të pakta, dua një dënim sa më të lehtë që është e mundshme, ngase edhe mua më presin nipa e mbesa”, ishte shprehur ai në seancën e 29 shtatorit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Bajram Veliaj vrau gruan e tij, Armenda Aliu, pas një mosmarrëveshjeje me të, në gusht të 2019-s. Viktima kishte tentuar të largohej nga shtëpia, por Veliaj menjëherë kishte marrë një pistoletë dhe në momentin që e kishte vërejtur bashkëshorten, kishte shtënë pesëmbëdhjetë herë në drejtim të saj, me ç’rast atë e kishte goditur 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit.
Si pasojë e plagëve, 42-vjeçarja kishte vdekur në vendin e ngjarjes.