Një grua 49-vjeçare dhe vajza e saj 12-vjeçare, që u therën me thikë në Prizren, po trajtohen në mjekimin intensiv qendror të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit. Shefi i Emergjencës, Hekuran Veçgishti, tha për KOHËN se të dyja kanë pasur plagë në pjesë të ndryshme të trupit dhe gjendja e tyre vazhdon të jetë e rëndë. Policia ka arrestuar të dyshuarin që pohohet të jetë në lidhje bashkëshortore me 49-vjeçaren prej afro një viti
Afrim Hasani i ka ende të freskëta britmat e gruas 49-vjeçare dhe vajzës së saj 12-vjeçare, që dyshohet se u sulmuan me thikë nga partneri i gruas, mesnatën e 17 tetorit në Prizren. Hasani tregon se e ka parë gruan e cila kishte dalë jashtë e gjakosur për të kërkuar ndihmë.
“Kam qenë duke punuar këtu (poshtë) dhe i kam dëgjuar britmat. Kam dalë e kam shikuar përpjetë... I kam parë dritat të ndezura plot, por nuk dihej në cilën banesë konkretisht. E kemi thirrur policinë dhe ndihmën e shpejtë. Më pas e kam parë gruan duke dalë krejt e përgjakur. Erdhi duke bërtitur e tha ‘burri po ma ther çikën me thikë’. Nuk e përmendte hiq veten edhe pse ishte krejt e gjakosur. Ka dalë dhe është mbështetur te shtëpia. Kanë ardhur më pas policia. Dihej se ishte fëmija lart, dhe më pas e gjetëm çikën që kishte ikur nga banesa në një banesë tjetër”, ka rrëfyer Hasani për KTV-në.
Të dyja viktimat e sulmit janë në gjendje të rëndë dhe po vazhdojnë të trajtohen në mjekimin intensiv qendror të Spitalit të Prizrenit, ka bërë të ditur shefi i Emergjencës në këtë spital, Hekuran Veçgishti. Ai ka treguar se ato kanë pasur plagë në pjesë të ndryshme të trupit.
“Viktimat vazhdojnë trajtimin në Spitalin e Prizrenit, sipas mjekëve kujdestarë që janë në mjekim intensiv kanë thënë se gjendja është e rëndë, por stabile. Ato janë sjellë rreth orës 00:45 në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm Prizren të lënduara si pasojë e therjes me thikë. Janë kryer ekzaminimet e nevojshme, ekzaminimet radiologjike. Të lënduarat kanë pasur plagë në pjesë të ndryshme të trupit. Pas konsultës me kirurgët kujdestarë, dy të lënduarat janë hospitalizuar për intervenim kirurgjik. Për momentin pacientet janë duke u trajtuar në mjekimin intensiv qendror të Spitalit”, ka bërë të ditur Veçgishti.
Në Spital të premten pasdite ndodheshin edhe familjarë të viktimave – nëna, vëllai dhe vajzat e tjera të 49-vjeçares. Ato nuk deshën të flisnin hapur para kamerës, por në bashkëbisedim me KOHËN thanë se e afërmja e tyre kishte pasur ankesa të herëpashershme për bashkëshortin nga martesa e dytë, tashmë i dyshuar për sulmin.
Ata treguan se 49-vjeçarja ishte martuar me 51-vjeçarin nga Malisheva një vit më parë. Çifti kishte jetuar në Malishevë, ndërsa në Prizren kishin ardhur tre muaj më parë. Në ndërtesën ku ndodhi ngjarja jetonin me qira qe 10 ditë.
Gruas i është ofruar ndihma e parë nga zyrtarët policorë deri në ardhjen e ekipit të emergjencës mjekësore. Ndërsa, në katin e fundit të ndërtesës është gjetur edhe viktima e dytë, vajza e mitur. Ajo po ashtu kishte lëndime trupore dhe gjakderdhje.
Sipas Prokurorisë Themelore të Prizrenit, gjatë intervenimit të Policisë së Kosovës në hyrje të banesës ku ka ndodhur rasti është identifikuar dhe arrestuar i pandehuri, i cili është shoqëruar në Stacionin Policor për procedura të mëtejme.
Prokurori kujdestar ka lëshuar aktvendim për ndalimin e të pandehurit në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti person ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
