Dhjetë raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit në Policinë e Kosovës.
Në nëntë raste viktima kanë qenë gratë, kurse në një rast viktimë kanë qenë një grua dhe një burrë.
Prej tyre dy raste janë raportuar se kanë ndodhur në Prishtinë.
Në njërin prej tyre është raportuar se është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje një burrë i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktima thuhet se ka pranuar tretman mjekësor.
Në rastin tjetër që është raportuar në kryeqytet thuhet se i dyshuari në vazhdimësi i kishte shkaktuar dhunë psikike si dhe e kishte kanosur ankuesen grua kosovare. Viktima thuhet se ka kërkuar urdhër mbrojtës, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Dy raste kanë ndodhur në Istog.
Në njërit prej tyre thuhet se janë arrestuar katër të dyshuar, tre burra dhe një grua, pasi dyshohet se kanë sulmuar fizikisht dy viktimat një femër dhe një mashkull kosovar. Viktimat thuhet se kanë pranuar tretman mjekësor në QKMF.
Me vendim të prokurorit, thuhet se dy nga të dyshuarit janë liruar, ndërsa dy të tjerë janë dërguar në mbajtje.
Në rastin tjetër në Istog thuhet se është raportuar se dy gra janë duke i bërë presion psikik dhe duke e kanosur një tjetër grua. Lidhur me rastin njësitet policore kanë kërkuar në shtëpinë e tyre të dyshuarat, por nuk i kanë hasur. Rasti thuhet se është nën hetime.
Tri raste të dhunë në familje janë raportuar se kanë ndodhur në Pejë.
Në rastin e patë thuhet se është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje një burrë cili dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës grua kosovare.
Në rastin e dytë thuhet se është shoqëruar në stacionin policor një burrë i cili dyshohet se një kohë të gjatë kishte ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës grua kosovare. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti thuhet se shkon në procedurë të rregullt.
Në rastin e tretë që ka ndodhur në Pejë thuhet se është arrestuar dhe është dërguar në mbajte një burrë që dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës grua kosovare, si dhe dyshohet se ka dëmtuar orenditë shtëpiake.
Një rast i dhunë në familje është raportuar se ka ndodhur në Gjakovë ku thuhet se janë arrestuar dy të dyshuar një grua dhe burrë kosovarë, pasi që pas një mosmarrëveshje që kishin pasur me viktimën femër kosovare njëri prej të dyshuarve dyshohet se e kishte sulmuar duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima thuhet se ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.
Në një rast që është raportuar në Malishevë thuhet se është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari kosovar, pasi që dyshohet se kishte ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës femër kosovare. Sipas viktimës ajo ditë më parë ishte sulmuar edhe nga e dyshuara femër kosovare. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti thuhet se shkon në procedurë të rregullt.
Ndërkohë që një rast i dhunës në familje është raportuar se ka ndodhur në Vushtrri.
“Është raportuar se ankuesja femër kosovare është kanosur nga i dyshuari mashkull kosovar. Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.