Kronikë

Njëri nga të plagosurit në Pejë është dërguar në QKUK

Vrasje - plagosje - Shiriti i policise - forenzika - Policia

FOTO: Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

(E përditësuar 19:02) - Njëri nga të plagosurit në Pejë gjatë së premtes, pranë Gjykatës Themelore, është dërguar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka njoftuar Spitali i Pejës.

Sipas njoftimit, i plagosuri tjetër po merr trajtim në Spitalin e Pejës.


Dy të plagosur në Pejë

(17:03) - Dy persona janë plagosur të premten pasdite pas të shtënave me armë në Pejë.

Policia ka konfirmuar për KOHËN se një person i dyshuar është arrestuar.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Hasan Murati”, në afërsi të Gjykatës Themelore.

Njësitet kompetente janë në vendin e ngjarjes.

Ndërkaq në një njoftim, Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka bërë të ditur se dy të plagosurit janë nën kujdes intensiv mjekësor. “Ata janë duke u trajtuar në Spitalin tonë dhe aktualisht janë nën kujdesin e ekipit tonë mjekësor kujdestar, ndërsa po kryhen ekzaminimet dhe ndërhyrjet e nevojshme. Të plagosurit janë nën kujdes intensiv mjekësor dhe për çdo zhvillim të ri do të ju mbajmë të informuar”, thuhet në njoftim.

Plagosja e dyfishtë në Pejë – “hakmarrje” për vrasjen e para tre vjetësh

21 o. më parë / 17 tet 2025 22:00
Plagosje

Foto: Ilustrim

Njëri prej familjarëve të të vrarit në Volljakë të Klinës para tre vjetësh, F.H., po dyshohet se i ka plagosur dy persona pasi Gjykata Themelore në Pejë shqiptoi 44 vjet burgim për të akuzuarit për rastin.

Paraprakisht, Gjykata i dënoi katër persona me nga katër vjet burgim, por duke ua ndërprerë masën e paraburgimit. E sipas “Betimit për Drejtësi”, familjari i viktimës së para tre vjetëve pasi ishte shpallur aktgjykimi i ka pritur në parking dhe ka shtënë me armë në drejtim të tyre. Policia e ka arrestuar menjëherë në vendin e ngjarjes derisa dy të plagosur, njëri i liruar dhe tjetri familjar i tij, janë në gjendje të rëndë ku njëri është transferuar në QKUK.

I arrestuari është mbrojtur në heshtje.

Policia ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes, ka sekuestruar si prova materiale dy armë të gjata të tipit AK-47, dy revole, 129 fishekë dhe 16 gëzhoja.

Ndërsa sa i përket vrasjes në Volljakë, procesi gjyqësor ishte në rigjykim. Fillimisht këta pesë persona ishin dënuar me 84 vjet burgim. Në rigjykim, njëri u dënua me 28 vjet burgim për vrasje të rëndë, vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Ndërkaq katër prej të pandehurve u liruan nga akuza për vrasje të rëndë në bashkëkryerje dhe u dënuan për ndihmë të kryerjes së veprës penale dhe lëndim të lehtë trupor. Megjithatë, atyre iu ndërpre masa e paraburgimit. Sipas aktakuzës, më 28 prill 2022, në Volljakë të Klinës, pesë të pandehurit akuzoheshin se me qëllim të hakmarrjes e kishin vrarë F.H. dhe kishin rrezikuar jetën e të tjerëve.