Dy persona kanë humbur jetën në një aksident trafiku në fshatin Shushicë të Istogut.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka konfirmuar për KOHËN se në aksident janë përfshirë dy automjete, ndërsa një person ka humbur jetën në vendin e ngjarjes e vdekja e një tjetri është konstatuar në Spitalin Rajonal të Pejës.
Në aksident kanë marrë lëndime tre persona tjerë.
“Sot rreth orës 15:20, Policia është njoftuar për një aksident trafiku në fshatin Shushicë të Istogut. Në aksident janë të përfshira dy vetura. Mjeku kujdestar i QKMF-së e ka konstatuar vdekjen e një personi në vendin e ngjarjes. Ndërkaq njëri nga katër të lënduar ka mbërri pa shenja jetë gjatë rrugës për në Spitalin Rajonal të Pejës”, tha Gashi.
Nga Spitali i Pejës është bërë e ditur se rreth orës 16:00 është pranuar një paciente pa shenja jete, që ishte përfshirë në aksident. E po ashtu ka njoftuar se një fëmijë është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Sot, rreth orës 16:00, në Shërbimin e Emergjencës është pranuar një paciente pa shenja jete, si pasojë e një aksidenti të trafikut në Istog. Pacientja kishte pësuar politraumë dhe, përkundër procedurave të ndërmarra, është konstatuar pa shenja jete. Rreth orës 16:30 janë pranuar edhe katër pacientë të tjerë të lënduar në të njëjtin aksident. Një fëmijë është transferuar në QKUK, i intubuar dhe nën përcjelljen e ekipit të Anestezionit, për trajtim të mëtejmë, me politraumë, hemorragji intrakraniale dhe frakturë të femurit. Një paciente është hospitalizuar në Repartin e Ortopedisë me frakturë të femurit. Dy pacientë të tjerë, pas ekzaminimeve dhe trajtimit mjekësor, janë liruar për trajtim ambulantor, pasi kanë pësuar lëndime të lehta trupore. Shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes për humbjen e rëndë, ndërsa të lënduarve u urojmë shërim sa më të shpejtë”, është njoftuar nga Spitali i Pejës.
Edhe
Një i vdekur pas një aksidenti në Vranidoll të Prishtinës
Kryetari i Istogut, Ilir Ferati, është shprehur i tronditur për humbjet e jetëve në aksidentet e sotme. Ai ka thënë se në mesin e viktimave në aksidentin në Shushicë është një fëmijë. Ai ka apeluar për kujdes në vozitje.
“Thellësisht të tronditur nga humbjet e jetëve që përjetuam sot. Si pasojë e një aksidenti tragjik në Shushicë të Istogut, u kumtua lajmi i shuarjes së menjëhershme të jetës së një fëmije, e më pas edhe të një pjesëtari tjetër të kësaj familjeje. Fatkeqësi që shënjon ditën e sotme dhe na mërzit të gjithëve. Ju bashkëndjejmë dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta ndaj familjes Qorraj për humbjet që përjetuat, si dhe lutemi për shëndetin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aksident trafiku. Bëj thirrje të veçantë për kujdes në vozitje - thirrje që duhet të vlejë në çdo kohë për të gjithë, por sidomos në kushte të tilla atmosferike”, ka shkruar Ferati në Facebook.