Kronikë

Ekstradohen dy shtetas të Kosovës, njëri kërkuar për lëndim e tjetri për tentim vrasje

Policia Ilustrim

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka ekstraduar dy shtetas të Kosovës, të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar.
Policia njoftoi se më 11 shkurt ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Gjermania për në Kosovë dhe se ai ishte arrestuar nga autoritetet gjermane, pasi që kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për veprën penale ‘lëndim i rëndë trupor’.

I dyshuari, pas ekstradimit, u është dorëzuar njësiteve përkatëse të policisë për vazhdim me procedurat tjera ligjore.

Po ashtu, më 12 shkurt  është realizuar ekstradimi nga Kosova për në Gjermani i shtetasit kosovar i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë gjermane për përfshirje në veprat penale ‘vrasje në tentativë’ dhe ‘grabitje’.

“Të dy ekstradimet u realizuan bazuar në ligjet në fuqi dhe marrëveshjeve në mes të dy vendeve, si dhe bashkëpunimit të ngushtë në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe shtetit gjerman”, thuhet në njoftimin e PK-së.