Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të mërkurën se është ekstraduar nga Zvicra për në Kosovë një shtetas kosovar që kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar.
Urdhërarresti ndërkombëtar ishte lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës. Shtetasi kosovar kërkohej për vepër penale të “kanosjes”.
“I dyshuari ishte arrestuar nga autoritete Zvicerane pasi që i njëjti kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale “Kanosje”. Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit mes institucioneve të R. Kosovës dhe atyre Zvicerane. I dyshuari pas ekstradimit u është dorëzuar njësiteve përkatëse të policisë në rajonin e Prizrenit për vazhdim të procedurave të mëtejme ligjore. Policia e Kosovës do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”, ka njoftuar Policia e Kosovës.