Kronikë

Familjarët e të vdekurit në aksident në Podujevë apelojnë për kujdes në komunikacion

Një përplasje e fuqishme mes dy veturave në rrugën Merdare - Podujevë, 2 orë pas mesnatës, ka rezultuar fatale.

Blerim Seftolli, 39 vjeç ka vdekur në vend, teksa po kthehej nga dalja për kafe me shokë dhe të afërm.

Në fshatin Lladofc të Podujevës familja e viktimës ka nisur të pranojë ngushëllime, raporton KTV.

Duke treguar për vëllanë e tij, që nuk ka qenë adhurues i shpejtësisë, ai ka një mesazh për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka shpjeguar rrethanat e aksidentit.

Sipas familjarëve dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, disa prej të lënduarve janë duke u trajtuar në QKUK, dhe janë jashtë rrezikut për jetë.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Prishtinë ende nuk ka diçka konkrete se cili mund të jetë shkaktari i aksidentit mes dy veturave.

Në përgjigjen e Prokurorisë thuhet se janë duke pritur rezultatet e ekzaminimeve për të sqaruar rrethanat e aksidentit.

“Me të marrë lajmin, njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes. Prokurori kujdestar, ka lëshuar kërkesë për obduksion për trupin e ndjerë, si dhe është duke i pritur ekzaminimet, në mënyrë që të sqarohen rrethanat e aksidentit. Lidhur me personat e tjerë të përfshirë në këtë aksident, disa prej tyre kanë marrë tretman mjekësor në QKUK, e disa të tjerë janë duke u hospitalizuar. Aktualisht, rasti po hetohet”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Pavarësisht që në Polici thonë që numri i aksidenteve është në rënie, ata kanë ndërmarrë masa për muajt e verës.

Javën e kaluar kanë humbur jetën 3 persona, e 3 të tjerë janë lënduar në një aksident në Rahovec. E vetëm në 6 mujorin e parë të vitit 2019 kanë vdekur 40 persona në aksidente trafiku.