Kronikë

Gjendet i vdekur një person në Prizren, në trup kishte plagë nga arma

Policia

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të mërkurën në fshatin Serbicë të Ulët të Prizrenit është gjetur një person pa shenja jete. 

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka thënë për KOHËN se është identifikuar viktima, bëhet fjalë për M.K. (57) dhe se nga shikimi fillestar është vërejtur se ka plagë në trup nga arma e zjarrit dhe se arma është gjetur pranë trupit. 

“Sot, më datë 17.12.2025, rreth orës 11:35, Policia ka pranuar informatën se në fushën e fshatit Serbicë e Ulët, në Prizren, është vërejtur një person pa shenja jete. Njësitet policore dhe emergjenca mjekësore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e personit. Viktima është identifikuar si M.K., 57 vjeçar, mashkull, nga fshati Serbicë e Ulët. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe është duke mbledhur informacione, prova materiale dhe dëshmi relevante. Nga shikimi fillestar është vërejtur se viktima ka një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit në trup, ndërsa në afërsi të trupit është gjetur një armë zjarri – pistoletë. Prokurori kompetent është njoftuar dhe veprimet e mëtejme do të ndërmerren në përputhje me udhëzimet e tij. Hetimet janë në vazhdim me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit”, ka njoftuar Bytyqi.