Kronikë

Gjendet një punishte e armëve në Mitrovicë të Veriut, arrestohet një i dyshuar

Sasia e armeve e kapur ne Mitrovice te Veriut

Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka bërë të ditur se të mërkurën, është gjetur një sasi e armatimit në Mitrovicë të Veriut. 

Prokuroria ka thënë se në koordinim me Policinë e Kosovës dhe me urdhër të gjykatës është realizuar kontroll në tri lokacione dhe në njërin prej tyre janë gjetur sasi armatimi, pjesë të ndryshme të armëve dhe makina që janë përdorur në ndërhyrje në armë. 

Një i dyshuar është arrestuar. 

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik që në koordinim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë kundër Krimit të Organizuar në Prishtinë, me urdhër të gjykatës, kanë realizuar urdhër kontroll në tri lokacione, me ç`rast në njërin nga lokacionet në Mitrovicën e Veriut janë gjetur dhe sekuestruar sasi armatimi, pjesë të ndryshme të armëve, makina që janë përdorur në ndërhyrje në armë. Është arrestuar dhe dërguar në mbajtje një person i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve””, ka njoftuar Prokuroria. 

Për aksionin ka reaguar edhe ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla. 

Ai ka thënë se operacioni është zhvilluar në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.

“Vazhdojmë pa asnjë kompromis goditjen ndaj kriminaliteteve që cenojnë sigurinë qytetarëve tanë dhe Republikës sonë.  Në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan sot është realizuar një operacion policor nga i cili është identifikuar një punëtori në të cilën janë modifikuar armë të llojeve të ndryshme. Në po atë lokacion dhe në të tjerë janë gjetur armë të llojeve të ndryshme, municion dhe armë në proces të modifikimit.  Kjo veprimtari dhe çdo tjetër do të luftohen deri në fund, e veçanërisht kur të njëjtat zhvillohen për të penguar e ndaluar punën e zyrtarëve tanë që garantojnë sundim të rendit e ligjit dhe siguri për vendin tonë.  Ndaj të arrestuarve që kanë zhvilluar këtë veprimtari pres dënim meritor e pa dilemë, që të fuqizojë përpjekjet tona për një Republikë të sigurtë”, ka shkruar Sveçla në Facebook. 

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se kriminaliteti po goditet në secilin cep të Kosovës.

Ai ka shkruar në Facebook veprimtaria ilegale e zbuluar nga operacioni policor në veri “tregon për tentativat për cenim të sigurisë që përballen me nivel të lartë profesionalizmi të Policisë së Kosovës”.

“Sundim të ligjit dhe siguri për vendin e qytetarët. Kriminaliteti po goditet në çdo cep të vendit. Veprimtaria ilegale e zbuluar dhe kapur nga operacioni policor në Mitrovicë të veriut dhe Zveçan, tregon për tentativat për cenim të sigurisë që përballen me nivel të lartë profesionalizmi të Policisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë. Autorët duhet të dënohen për të garantuar që drejtësia nuk e zhbën punën e madhe që po zhvillojnë organet e sigurisë”, ka deklaruar Kurti.