Gjykata Themelore e Prizrenit është duke vazhduar me seancat gjyqësore ndaj Bajram Veliajt, i cili akuzohet për vrasjen e bashkëshortes dy vjet më parë. Shqyrtimi kryesor, i paraparë të mbahet këtë të enjte, është shtyrë për 6 gusht për shkak të mungesës së dëshmitarit, i cili kishte dëgjuar të shtënat dhe ishte përpjekur ta ndihmonte viktimën
Më 6 gusht të vitit 2019, 42-vjeçarja Armenda Aliu u qëllua për vdekje me 14 plumba, në njërën nga lagjet e Prizrenit. Këtë datë, por të vitit 2021, Gjykata Themelore e Prizrenit e ka përzgjedhur për seancën e shqyrtimit kryesor ndaj bashkëshortit të saj, Bajram Veliaj, të akuzuar për këtë vrasje.
Vendi se ku ndodhi kjo ngjarje dy vjet më parë është pothuajse i njëjtë. Ekipi i KOHËS ka qëndruar për rreth 1 orë në lagjen “Jeta e re”. Fqinjët e viktimës nuk dëshironin të flisnin, duke thënë se nuk kanë dijeni për rastin.
Mesditën e së enjtes, në gjykatë ishte planifikuar që të dëgjohej një dëshmitar për këtë rast, e njëherësh të mbahej edhe seanca e shqyrtimit kryesor.
E mungesa e personit të parë, që atëkohë kishte dëgjuar të shtënat me armë zjarri në lagjen “Jeta e Re” në Prizren, ka bërë që shqyrtimi kryesor të shtyhet për 6 gusht të këtij viti. Mungesën e dëshmisë së B. M., këtë të enjte, kishte ardhur ta arsyetojnë familjarët e tij. H. M., nëna e dëshmitarit, tha se ai nuk ka mundur të vijë në kohën kur gjykata i ka dërguar ftesën shkaku se djali i saj jeton në një shtet tjetër.
“Po për momentin nuk është, kur po e ftoni ju, se ai vjen, paraqitet patjetër, ama në datat e caktuara që e keni thirrur nuk ka qenë këtu, se është me familje atje”, ka thënë ajo.
Derisa një tjetër familjar, i cili tha se dëshmitarin e ka nip, gjatë tërë kohës thoshte se ai nuk është i përfshirë në këtë, vetëm është munduar ta shpëtojë viktimën.
“Ai ka kryer një akt qytetar, ka thirrur në telefon dhe ka dhënë një deklaratë më herët - që unë kam menduar se po shpëtoj një jetë, e nuk di asgjë më tepër”, ka shtuar ai.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, e të cilën e posedon edhe KOHA, Bajram Veliaj akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë”, e cila sipas aktakuzës thuhet se ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje që kishte pasur me bashkëshorten e tij, Armenda Aliu, e cila kishte tentuar të largohej nga shtëpia.
“Por, Veliaj menjëherë kishte marrë një pistoletë dhe në momentin që e vëren bashkëshorten, shtënë 15 herë në drejtim të saj, me ç’rast të njëjtën e godet 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit dhe si pasojë e plagëve 42-vjeçarja vdes në vendin e ngjarjes”.
Megjithatë, edhe pas kësaj ngjarjeje Bajram Veliaj nuk kishte ikur nga vendi i ngjarjes, ai e kishte mbuluar viktimën me një fustan të saj dhe e kishte pritur ardhjen e policisë.
Siç merr vesh KOHA, raporti i ekzaminimit psikiatrik ka rezultuar se Bajram Veliaj nuk ka pasur asnjë problem mendor në ditën kritike. Veliaj akuzohet edhe për “armëmbajtje pa leje”.