Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj F.Sh. për fajde dhe organizim të bixhozit. I pandehur gjendet në paraburgim që nga 9 dhjetori i vitit të kaluar.
Sipas aktakuzës, nga muaji shtator i vitit 2023 dhe në vazhdimësi, për vete pranoi dhe kontraktoi shuma dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të tij.
Pasi viktima nuk kishte pasur mundësi t’ia kthejë një borxh në shumën prej 70,000 euro dhe në momentin kur kishte hasur në vështirësi që t’ia paguajë borxhin, i pandehuri kishte arritur ta bindë viktimën që në emrin e tij do të angazhohet dhe t’ia sigurojë paratë, në mënyrë që t’ia krijojë kushtet për kthimin e borxhit.
Pasi ia siguroi 10 mijë euro, i pandehuri e kishte detyruar viktimën me kamatë 15%, e më vonë ia ofron edhe 5,000 euro për të cilat për gjashtë javë është detyruar të paguajë kamatë 3,000 euro. Sërish, sipas aktakuzës, i pandehuri ia kishte siguruar edhe 10 mijë euro me kamatë 15%, si dhe më pas sërish 2,000 euro me 20% kamatë. Në aktakuzë thuhet se në gusht 2024 kur i pandehuri ia kishte lëshuar edhe 10 mijë euro të tjerë me kamatë 15%, ai ishte kapur në flagrancë nga Policia teksa po ia merrte viktimës 5,000 euro.
Sipas aktakuzës, viktima ka paguar para me interes në shumën prej 14,600 euro dhe ende nuk ka arritur t’ia paguajë shumën e mbetur të kamatës prej 21,400 euro.
Po ashtu, i pandehuri F.Sh., kishte marrë pjesë në periudha të ndryshme kohore në organizim të bixhozit. Në aktakuzë thuhet se ai ia kishte mundësuar të dëmtuarit A.Z. të luajë bixhoz, i cili më pas hyri në borxh prej 70 mijë euro, e që paraprakisht për t’u futur në lojë i kishte dhënë edhe 20 mijë euro.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.