Kronikë

Inspektorati Policor rekomandon suspendimin e tre policëve, u përfshinë në një incident në Klinë

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK)

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë në Klinë pasi të njëjtit dyshohet se janë përfshirë në një incident më 28 qershor, në oborrin e shtëpisë së një qytetari.

IPK-ja ka njoftuar të dielën se zyrtarët policorë kanë tejkaluar autorizimet e tyre gjatë përdorimit të forcës ndaj një qytetari, derisa u tha se deklarimet e tyre janë në kundërshtim të plotë me pamjet e incizuara dhe provat faktike.

Inspektorati bëri me dije se policët dyshohet se kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

“Hetuesit e IPK-së kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore bazuar në  autorizimet ligjore të IPK-së kurse incidenti ku dyshohet se janë përfshirë tre zyrtarët policorë raportohet të ketë ndodhur më 28 qershor 2025 në rrugën ‘Ismail Qemajli’ në qytetin e Klinës, përkatësisht në oborrin e shtëpisë së një qytetari. Bazuar nga të gjeturat e hetimit fillestar ekziston dyshimi se zyrtarët  policorë kanë tejkaluar autorizimet e tyre gjatë përdorimit të forcës ndaj një qytetari përderisa në deklaratat e tyre dhe në raportet zyrtare është prezantuar një version që rezulton të jetë në kundërshtim të plotë me pamjet e incizuara dhe provat faktike”, thuhet në komunikatën e IPK-së.