Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy shtetasve palestinezë, M.O. dhe Z.N., të dyshuar për falsifikim i parave.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 6 shkurt 2026, rreth orës 19:30, në një pikë derivatesh në magjistralen Ferizaj–Prishtinë, konkretisht në fshatin Prelez i Jerlive, i pandehuri M.O., me dashje dhe duke e ditur se paratë ishin të falsifikuara, i ka vënë ato në qarkullim si të vërteta.
Po ashtu, Prokuroria njofton se për të pandehurit M.O. dhe Z.N. ekziston dyshimi i bazuar se më 7 shkurt 2026, në rrugën “Skënderbeu” në Kaçanik, në bashkëkryerje kanë poseduar para të falsifikuara me qëllim që t’i vinin në qarkullim si të vërteta.
Gjatë kontrollit të banesës së tyre nga ana e Policisë së Kosovës, janë gjetur dhe sekuestruar 39 bankënota prej 50 dollarësh amerikanë, në vlerë të përgjithshme prej 19 mijë e 500 dollarësh, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të dyshuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikim i parasë”.
Dy të pandehurit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, aktualisht gjenden nën masën e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa gjykata pritet të vendosë lidhur me kërkesën për paraburgim.