Prokuroria Themelore në Gjakovë të premten ka njoftuar se në bazë të informatave operative, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka realizuar bastisje në tri lokacione në fshatin Ratkoc të Rahovecit, nga ku kanë rezultuar sekuestrime të armëve dhe ndalimi i tre personave.
Gjatë kontrollit në lokacionin e parë, te i dyshuari P.H., janë gjetur dhe konfiskuar një mitraloz, një pushkë automatike AK-47, një pushkë automatike e tipit “Sharc”, si dhe një pistoletë me gas me 608 fishekë.
Në bastisjen e dytë, te i dyshuari Xh.H., policia ka sekuestruar një pushkë gjahu, një pushkë automatike M-47, një pushkë automatike M-48, si dhe municion – 33 copë të kalibrit 12 mm dhe 329 fishekë të llojeve të ndryshme.
Ndërkaq, te i dyshuari i tretë, A.M., janë gjetur dy pistoleta me gas, pa municion.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa brenda afatit ligjor Prokuroria pritet të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.
Ndaj P.H., Xh.H. dhe A.M. janë iniciuar procedura për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.