Kronikë

Ndalohet mësimdhënësi i shkollës “Pavarësia” pasi sulmoi nxënësin

Foto nga rrahja

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh ndaj një mësimdhënësi të shkollës “Pavarësia” në kryeqytet, i cili dyshohet se ka sulmuar një nxënës.

Këtë për KOHËN e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, duke bërë të ditur se rasti është iniciuar për veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

“Në bazë të urdhrit të prokurorit kujdestar është ndaluar personi, d.m.th arsimtar, në kohëzgjatje prej 48 orësh. Prokurori i shtetit është duke i ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore konform dispozitave të ligjit në fuqi”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Kaltrina Shala. 

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur të hënën, kur mësimdhënësi është përfshirë në një konflikt fizik me një nxënës të shkollës.

Ndërkohë, KOHA ka tentuar të marrë një koment edhe nga drejtori i shkollës “Pavarësia”, Halil Brahaj, mirëpo ai nuk ka qenë i qasshëm.

Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar.

Të hënën është publikuar një video nga mediumi Kallxo.com, ku shihet se në ambientet brenda shkollës ka ndodhur përleshja fizike.