Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve, subjektit G.G. dhe personit T.G. për veprat penale “mashtrimi”, “shmangia nga tatimi” dhe “keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”. Ndërkaq ka ngritur aktakuzë edhe ndaj të pandehurve N.G. dhe M.G. për “pastrim parash”.
Sipas aktakuzës, nga tetori 2020 deri në gusht të vitit të shkuar, personi dhe subjekti i pandehur kanë premtuar rrejshëm ndërtimin e vilave brenda 60 ditësh dhe duke shpallë oferta për ndërtim me zbritje.
Me këtë, 131 persona kanë lidhur kontrata për ndërtim të shtëpive prej druri në afat ndërtimi prej 60 ditësh.
Megjithatë, të pandehurit s’ua kanë ndërtuar asnjërit vilat e mjetet i kanë shfrytëzuar për blerjen e pronave që i ka regjistruar në emrin e tij, biznesit dhe bashkëshortes.
Shuma materiale e përfituar kundërligjshëm në këtë rast vlerësohet rreth 1.9 milionë euro.