Një fëmijë është lënduar në një çerdhe në Lipjan të hënën. Pas ankesës nga familja, Policia ka iniciuar rastin për lëndim trupor.
Familjarët që e kanë paraqitur rastin kanë akuzuar edukatoren se e ka rrëzuar fëmijën dhe se si pasojë ajo ka pësuar lëndime në fytyrë.
Ndërkaq Policia ka bërë të ditur se edukatorja është intervistuar. Rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt.
“Dje rreth orës 15:00 në stacionin policor në Lipjan është iniciuar një rast lëndim trupor. Ankuesja dhe e dyshuara janë intervistuar. Rasti po trajtohet në procedurë të rregullt përkitazi me udhëzimet e prokurorit të shtetit”, ka thënë për KOHËN, zëdhënësja e Policisë në rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.