Kronikë

Një i vdekur dhe katër të lënduar në një aksident trafiku në Podujevë

Aksident

Ilustrim

Një person ka humbur jetën ndërsa katër të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti të trafikut që ka ndodhur pasditen e sotme në Podujevë.

Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ajo ka njoftuar se në këtë aksident ka qenë e përfshirë një veturë dhe një kamion në lëvizje, më pas janë goditur rrethojat e një objekti dhe disa automjete të parkuara.

“Sot rreth orës 17:30 kemi pranuar informatën se në rrugën “Skenderbeu” në Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident ka qenë e përfshirë një veturë dhe një kamion në lëvizje, më pas janë goditur rrethojat e një objekti dhe disa automjete të parkuara. Në këtë aksident ngasësi i kamionit ka humbur jetën dhe janë lënduar katër persona të tjerë”- ka thënë ajo.

Ahmeti, poashtu ka njoftuar se vdekja e viktimës është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes ndërsa trupi i pajetë është dërguar për obduksion, ndërkohë që personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor. Me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal.