Kronikë

Një person gjendet i vdekur në një automjet në Veternik

Shiriti i policise

Pasditen e së mërkurën është gjetur një person i vdekur në një automjet në Veternik, Prishtinë. 

Nga Policia kanë thënë se është informuar për rastin dhe vdekjen e personit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. 

“Rreth orës 15:00 kemi pranuar informatën se një person pa shenja jete gjendet në një automjet në Veternik në Prishtinë. Vdekjen e viktimës (mashkull) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vend ngjarje”, njoftoi Policia. 

Më vonë u bë e njohur se personi që u gjet i vdekur është Hekuran Hoxha, ish-kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhje.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shkruar se Hoxhën e kishte koleg prej vitesh.

“Qysh në rininë e tij, ai ishte i angazhuar në aktivitetet politike në kuadër të Aleancës, ku u dallua gjithmonë për afërsinë, korrektësinë dhe respektin ndaj gjithsecilit”, shkroi Haradinaj.

Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur hetim mbi vdekjen si dhe po vazhdon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.