Një nxënës 13-vjeçar është kapur me armë zjarri të enjten në një shkollë në Ferizaj, ka njoftuar zëdhënësi i Policisë për këtë rajon, Kanun Veseli.
Sipas policisë, i mituri ishte parë duke mbajtur armën e zjarrit (pistoletën), për çka menjëherë është reaguar nga ana e autoriteteve.
Gjatë kontrollit, arma është gjetur pa fishekë dhe është konfiskuar nga policia.
Hetimet e para kanë konstatuar se arma ishte në pronësi të prindit të të miturit, i cili posedonte leje të rregullt për mbajtjen e saj.
Për shkak të moshës së tij, i mituri nuk është intervistuar, në përputhje me ligjin për të miturit.
Policia ka bërë thirrje për të gjithë poseduesit e armëve me leje, e veçanërisht prindërit, që të sigurojnë armët e tyre në mënyrë të sigurt, duke parandaluar qasjen e fëmijëve apo personave të paautorizuar, me qëllim të ruajtjes së jetës dhe sigurisë publike.