Policia e Kosovës ka njoftuar se në një aksione të gjerë në Prishtinë ka arrestuar 34 persona të dyshuar veprimtarive të kundërligjshme që ndërlidhen me organizimin e skemave piramidale dhe lojërave të fatit-bixhozit të jashtëligjshëm.
Sipas njoftimit 8 prej të arrestuarve janë dërguar në mbajtje e 28 janë liruar në procedurë të rregullt.
Në njoftim thuhet se operacioni është zhvilluar në vazhdimësi që nga data 25.04.2025, pas pranimit të informatave të besueshme për zhvillimin e aktiviteteve të tilla të kundërligjshme në disa lokacione të rajonit të Prishtinës.
Gjatë zhvillimit të hetimeve thuhet se janë vëzhguar-verifikuar, 91 lokale të ndryshme.
Në 60 prej tyre thuhet se janë ndërmarrë kontrolle të detajuara.
“15 lokale janë mbyllur nga inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe inspektoratet komunal për mungesë të dokumentacionit përkatës ose licencave. Janë iniciuar 25 raste penale, janë evidentuar shënime zyrtare dhe raporte operative që lidhen me vepra penale të ndryshme, si: organizim i lojërave të fatit, posedim i paautorizuar i substancave narkotike, armëmbajtje pa leje, kultivim, përpunim dhe shitje e substancave narkotike”, thuhet në njoftim.
Përgjatë operacionit thuhet se janë sekuestruar në cilësi të provave të rëndësishme.
“18 aparate për lojëra të fatit; 1 armë automatike AK-47, 1 armë e shkurtë, pajisje te laboratorit për kultivim, përpunim te substancave narkotike, para 5544.40 euro, 3 laptop, 2 printer për shtypje te tiketave, 3 aparate skenimi te tiketave, 16 telefona mobil të dyshuar se janë përdorur për pagesa online në bastore sportive”, thuhet në njoftim.

