Të paktën katër persona janë vrarë vetëm gjatë së dielës në Kosovë.
Gjatë mesditës tre persona u vranë e disa të tjerë u plagosën në Gjilan, kanë konfirmuar autoritetet. Të dyshuarit për kryerjen e vrasjes së trefishtë gjenden në arrati.

Ndërsa në mbrëmje u raportua për një tjetër vrasje në Prizren. Kjo vrasje, sipas Policisë është kryer me thikë. I dyshuari për këtë rast fillimisht është raportuar se është në arrati, por është arrestuar pas disa orësh.
Një tjetër vrasje këtë muaj është raportuar në fshatin Baicë të Lipjanit më 4 gusht.
Policia ka thënë se trupi i viktimës është gjetur i varrosur në një arë. Viktima është një 50-60 vjeçar.
Në lidhje me rastin janë intervistuar katër dëshmitarët meshkuj kosovarë. Rasti është duke u hetuar.

Lidhur me vrasjen e trefishtë të së dielës në Gjilan, pati reagime të shumta, pasi të dyshuarit ishin recedivistë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që të kapen sa më shpejt autorët e vrasjes së trefishtë në Gjilan dhe të sillen para drejtësisë.
Ajo ka thënë se është për keqardhje që të dyshuarit për vrasjen ishin lënë të lirë vitin e kaluar nga institucionet e drejtësisë pas një kohe të shkurtër të kaluar në paraburgim, ndonëse akuzoheshin për vepra të rënda.
“Presidentja shpreh keqardhjen e thellë për humbjen tragjike të tre qytetarëve në vrasjen e rëndë të kryer në Gjilan dhe përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave. Gjithashtu, Presidentja kërkon nga organet kompetente që autorët e këtij akti makabër të kapen sa më shpejt dhe të dalin para drejtësisë, për t’u përballur me përgjegjësinë e plotë ligjore. Është për keqardhje që vitin e kaluar të njëjtit ishin lënë të lirë nga institucionet e drejtësisë, pas një kohe të shkurtër të kaluar në paraburgim, përkundër veprave të rënda për të cilat akuzoheshin”, thuhet në reagimin e Presidencës.
E pati reagime edhe nga ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, që kritikuan institucionet e drejtësisë.