Kronikë

39 të arrestuar nën dyshimet për dallavere në Byronë Kosovare të Sigurimit

Arrestim bastisje policia droga sulm dhunim korrupsion

Foto: Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

(E përditësuar 14:15) - 39 persona janë arrestuar të enjten pas një aksioni të Prokurorisë Themelore në Prizren në të gjitha regjionet e Kosovës lidhur me dyshimet për dallavere në Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS). Në mesin e të arrestuarve janë edhe ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku dhe ish-drejtori i Departamentit të Financave në BKS, Valon Berisha. Në një konferencë për media, kryeprokurori i kësaj Prokurorie, Petrit Kryeziu, ka thënë se gjithashtu kanë arritur të bllokojnë të holla në vlerë mbi 1 milionë e 300 mijë euro në llogari bankare.

Kryeziu ka bërë të ditur se hetimet për këtë çështje i kanë nisur në marsin e vitit 2025. Target për arrestim i kanë pasur 46 persona. Shtatë të dyshuar që nuk janë arrestuar ndodhen jashtë vendit. 

“Po flasim për një rast ku kemi urdhëresa për bastisjen e 47 shtëpive. Përfshihet edhe një person juridik. Bëhet fjalë për keqpërdorime në BKS. Cak i hetimeve ishin ish-drejtori ekzekutiv, Sami Mazreku dhe ish-drejtori i Departamentit të Financave të BKS-së, Valon Berisha”, ka thënë ai.

Kryeprokurori ka thënë se ekziston dyshimi se Mazreku dhe Berisha duke keqpërdorur autorizimet nga BKS-ja i kanë mundësuar vetes fitime të mëdha dhe i kanë shkaktuar dëm Byrosë mbi 1 milion euro. Këtë dallaver ata dyshohen se e bënë përmes personave të ndryshëm.

“Ata kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë bërë dokumente të falsifikuar. I kanë shkaktuar dëm Byrosë 1,043,000 euro. Kemi hasur në 166 transaksione të dyshimta – 25 kanë të bëjnë me 12 personat me të cilët kishin arritur ujdi fiktive jashtë gjyqësore kinse si autorizues të personave që më herët kanë pasur aksidente në komunikacion. Dhe i kanë kompensuar në vitin 2022 dhe 2023, teksa personat kanë qenë të kompensuar në vitet e mëhershme”, ka deklaruar Kryeziu.

Shuma më e vogël e tranksasioneve ka qenë, sipas tij, 6,800 euro e më larta 68 mijë euro.

“46 persona fizikë i kemi pasur target për arrestim – 39 janë të arrestuar, për të cilët Prokuroria ka lëshuar vendim për ndalim. Aksioni i sotëm ka përfshirë të gjithë territorin e Kosovës. Nuk ka pasur regjion pa bastisje dhe arrestim për këtë çështje”, shtoi ai.

Kryeziu ka thënë se në aksion kanë sekuestruar 23 mijë e 700 euro, ari, aksesorë, orë dore të ndryshme, pajisje elektronike dhe e theksoi bashkëpunimin e ngushtë me inteligjencën financiare, ku ka thënë se kanë arritur t’i bllokojnë 1 milionë e 300 mijë e 886 euro.

Kryeziu ka shtuar se 7 persona të tjerë të dyshuar nuk janë në Kosovë.

“Përderisa 7 në bazë të veprimeve hetimore dhe operative në terren rezultojnë që janë jashtë Kosovës, mirëpo veprimet hetimore nuk do të ndalen në drejtim të tyre dhe secili, për veprimet që i ka bërë dhe kundërligjshmërinë e tyre, do të përgjigjen para organeve të drejtësisë. Ne do të kujdesemi që në kuadër të mandatit që palën e dëmtuar BKS’në të sigurohemi ta kompensojmë cent më cent. Prandaj kemi ngrirë pasuri edhe më shumë se ata që dyshohet se e kanë keqpërdorur, por mos të harrojmë se jemi në fazë të hershme dhe mund të zgjerohemi edhe më tutje”, theksoi ai. 


Prokuroria e Prizrenit me aksion në disa qytete, BKS thotë se denoncoi shkeljet e dyshuara

Një aksion i madh është duke u zhvilluar në të gjitha komunat e Kosovës, i udhëhequr nga Prokuroria e Prizrenit. Këtë aksion po e realizojnë një numër i konsiderueshëm i prokurorëve të Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Lajmin e ka bërë të ditur për KOHËN, kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, ndërsa ka konfirmuar se target janë 40 të dyshuar.

“Mund të konfirmoj që jemi ende në aksion dhe aksioni ka përfshirje në të gjitha komunat e Kosovës. Po udhëhiqet nga Prokuroria e Prizrenit. Bëhet fjalë për mbi 40 të dyshuar”, ka thënë Kryeziu në një përgjigje për KOHËN.

Raportohet se aksioni është duke u zhvilluar lidhur me kryerjen e veprave penale “keqpërdorim i besimit”, “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”, “ndihmë në keqpërdorim të besimit” dhe falsifikim të dokumentit”. 

Deri tani janë arrestuar disa persona në regjionet e Prizrenit, Prishtinës, Pejës, Gjilan, Ferizajt, Mitrovicës dhe Gjakovës.

Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, ka theksuar se pas përfundimit të aksionit do të mbahet një konferencë për media.

Betimi për Drejtësi ka raportuar se në mesin e të arrestuarve në aksionin e së enjtes që po zhvillohet nga Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prizren, janë Sami Mazreku, ish-drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe ish-drejtori i Financave në BKS, Valon Berisha.


Aksioni i Prokurorisë, BKS-ja thotë se e inicioi vetë rastin për hetim 

Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) ka njoftuar se aksioni i drejtuar nga Prokuroria Themelore në Prizren, është iniciuar nga vetë BKS-ja në cilësinë e palës së dëmtuar, si rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm.

BKS-ja ka thënë se pas evidentimit të shkeljeve serioze dhe dyshimeve për keqpërdorime, ka ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore, duke i adresuar gjetjet përkatëse tek organet kompetente të rendit dhe drejtësisë.

“Byroja Kosovare e Sigurimeve ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë në mënyrë të plotë dhe aktive me Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës, duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për zhvillimin e hetimeve”, thuhet në njoftim.