Kronikë

Së paku gjashtë të lënduar nga fishekzjarrët

Të tmerrshme e ka quajtur natën e 31 dhjetorit të 2018-ës Avdush Bajgora, shef i reanimimit në Klinikën Emergjente, sa i përket aksidenteve në trafik.

Sipas tij një person ka vdekur dhe tre të tjerë janë lënduar rëndë në një aksident trafiku në rrugën Podujevë-Prishtinë.

“Ka qenë natë e tmerrshme. Numri i aksidenteve ka qenë jashtëzakonisht i madh. Sidomos, në rrugën Podujevë-Prishtinë, një ka humbur jetën, tre janë në gjendje të rëndë. Kanë ndodhë gjatë ditës. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 14:30. Ka pasur edhe aksidente të tjera por ky vlen të theksohet”, ka thënë ai, raporton KTV.

Ai ka thënë në një deklaratë për medie se deri më tani janë lajmëruar rreth 6 raste me lëndime nga fishekzjarrët. Derisa ka shtuar se aktualisht nuk ka ndonjë rast me lëndime si pasojë e përdorimit të armëve gjatë festimit të vitit të ri.

“Para 15 min kanë filluar të vijnë persona të lënduar nga mjete piroteknike. Një pacient ka pas lëndime të rënda, te pjesa e buzës që e ka pasur të çarë. Ka edhe persona që kanë djegie. Janë 5-6 raste. Në krahasim me vitet e tjera është numër më i vogël, siç duket njerëzit kanë filluar të vetëdijesohen për mjetet piroteknike”, ka shtuar më tej ai.