Kronikë

Sekuestrohen mbi dy kilogramë substancë narkotike në Prishtinë

njesia speciale policia prokuroria

Foto: Driton Paçarada

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Njësinë e Antidrogës së Policisë, ka realizuar operacion të suksesshëm të martën në lagjen “Veternik” të kryeqytetit, ku janë sekuestruar mbi dy kilogramë substancë narkotike.

Operacioni është zhvilluar në kuadër të veprimeve të vazhdueshme për luftimin e krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë ende në zhvillim.

Prokuroria ka bërë të ditur se po punohet intensivisht për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar personat e përfshirë.

Autoritetet premtojnë se veprime të tilla do të vazhdojnë, me qëllim të garantimit të rendit dhe sigurisë publike.

Tre të arrestuar nga aksioni antidrogë në Prishtinë

1 j. më parë / 22 pri 2025 23:37
droga

Operacioni antidrogë i së mërkurës ka përfunduar me disa të arrestuar. Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorin Themelorë ka ndërmarrë veprime pas hetimeve të gjata.

Policia ka njoftuar se në Prishtinë u arrestuan tre persona të dyshuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe u sekuestruan 2 kg e 643.27 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë me vlerë në treg rreth 200,000 euro.

Po ashtu, konfiskoi një armë, dy automjete, tre telefona, 400 euro para të gatshme e prova të tjera.

Në vijimësi të hetimeve dhe zhvillimit operacional është kontrolluar edhe banesa e njërit nga të dyshuarit në Fushë Kosovë, ku janë gjetur dhe sekuestruar 2 kg e 300 gram substancë e dyshuar kokainë me vlerë të përafërt në treg rreth 180,000 euro dhe një armë zjarri me 14 fishekë.

“Të gjithë të dyshuarve kryesor iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet janë duke vazhduar nga DHTN – Sektori Qendror në koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin nga PK.

Gjatë operacionit, janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, të cilët kanë tentuar të largohen me veturën e tyre. Gjatë kontrollit u është gjetur një armë dhe është konstatuar se automjeti i tyre ishte me dokumentacion të falsifikuar. Personat në fjalë nuk kanë ndërlidhje me rastin kryesor, andaj janë proceduar nga patrulla policore e Stacionit Jugu – Prishtinë.