Kronikë

Sekuestrohen mijëra euro false në një operacion policor në Prishtinë

Operacion policor

Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës njoftuan se nëpërmjet një operacioni të përbashkët kanë sekuestruar 4.797 euro false, të fotokopjuara në kartëmonedha të ndryshme.

Në këtë operacion është arrestuar i dyshuari me inicialet L.A., derisa i njëjti është ndaluar për 48 orë.

Ndaj të dyshuarit është iniciuar vepra penale “falsifikim i parasë”.

“Në total shuma e parave të sekuestruar është 4,796.40 €uro. Ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa brenda afatit ligjor Prokurori i shtetit do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit”, thuhet në komunikatën e përbashkët.