Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Sot shpallet aktgjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt

Naim Murseli

Foto: Driton Paçarada

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të shpallet aktgjykimit për rastin e vrasjes së Liridona Ademaj, ku të akuzuar janë bashkëshorti i saj Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.

Vendimi pritet të shpallet në 13:30, ndërkohë që Murseli, Plava e Kokalla nuk do të marrin pjesë në shpallje.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në fjalën përfundimtare, për të tre të akuzuarit për vrasjen që ndodhi në nëntor të vitit 2023, ka  kërkuar dënim me burgim të përjetshëm.

Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor është argumentuar që të akuzuarit janë marrë vesh për vrasjen e Ademajt.

Burgim të përjetshëm për të akuzuarit ka kërkuar edhe familja Ademaj. Vëllai i Liridonës Leonardi, ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar për planifikimin e vrasjes.

Ndërkohë mbrojtësi i të akuzuarit Naim Murseli, avokati Shemsedin Piraj ka deklaruar se kërkesa e Prokurorisë për dënim me burgim të përjetshëm është e ashpër.

Fjalën përfundimtare të avokatit të tij e ka përkrahur i akuzuari Naim Murseli. Ai ka thënë se po akuzohet për një krim që nuk e ka kryer dhe nuk ka qenë në dijeni për të.

Sipas aktakuzës, Murseli, Plava dhe Kokalla janë dakorduar paraprakisht që vrasja e Liridona Ademajt të kryhej nga i akuzuari Plava, me marrëveshjen që Murseli t'ia paguajë atij 30 mijë euro.

I gjithë plani për vrasjen, sipas aktakuzës, është bërë nga bashkëshorti i viktimës, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare dhe martesore, për të cilin shkak edhe ka lindur dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë theksohet po ashtu se plani për vrasjen e Liridona Ademajt fillimisht i është shpalosur Kokallës, i cili më pas e ka gjetur Plavën dhe e ka njoftuar atë me Murselin.

E vetë Naim Murseli, sipas aktakuzës, e ka siguruar armën me 20 fishekë nga i akuzuari Tom Dodaj, me të cilën e ka kryer vrasjen.

Dodaj, i cili ua ka shitur armën Murselit e Plavës për 280 euro ka pranuar fajësinë. Themelorja e ka dënuar me 5 vjet burgim, e më pas Apeli ia ka ulur në tre vjet.

Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Murseli është deklaruar i pafajshëm. Plava nuk është deklaruar rreth fajësisë, ndërsa Kokalla ka kërkuar kohë për t'u konsultuar me mbrojtjen.

 

Lexo përditësimet tjera
Burgim i përjetshëm për Murselin e Plavën, 30 vjet për Kokallën

Burgim i përjetshëm për Murselin e Plavën, 30 vjet për Kokallën