Kronikë

Suspendohet një polic në Kamenicë për përdorim të armës jashtë detyrës

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK)

Inspektorati Policor ka kërkuar suspendimin e një polici, pasi i njëjti dyshohet se ka përdorur armën jashtë detyrës zyrtare.

Në një komunikatë për media, bëhet e ditur se hetuesit e IPK-së kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore pas pranimit të informacioneve për një incident që ka ndodhur të shtunën në mbrëmje në një fshat të Komunës së Kamenicës ku i përfshirë dyshohet të jetë zyrtari policor.

Nga veprimet hetimore fillestare dyshohet se  zyrtari në fjalë ka përdorur armën jashtë detyrës zyrtare duke shtënë me armë për motive të paqarta deri më tani.

 “Prokuroria Themelore në Gjilan është njoftuar për rastin dhe ka autorizuar IPK-në të fillojë procedurat hetimore preliminare lidhur me dyshimin për veprën penale ‘Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’ përderisa rasti është duke u zhvilluar në procedurë të rregullt kurse arma është sekuestruar për qëllime të ekzaminimeve të mëtutjeshme”, thuhet në njoftim.

 Bëhet e ditur se hetuesit e IPK-së do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore në koordinim me prokurorinë kompetente drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave lidhur me këtë incident.