(Tekst i përditësuar) - Mjeku ligjor, Naim Uka, gjatë dëshmisë së tij në procesin gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt më 2023, ka dhënë detaje për raportin e autopsisë së Ademajt.
Ai ka thënë se në bazë të provave mjeko-ligjore distanca e qitjes, nga e cila është vrarë Ademaj sillet rreth 2 deri në 5 centimetra.
Uka ka theskuar se përjashtohet mundësia e vrasjes me puthitje apo gjysmë-puthitje.
“Gjatë procedurave të autopsisë mjeko-ligjore është konstatuar vrima hyrëse në regjionin e djathtë të kokës, e shkaktuar nga veprimi dinamik e cila ka pas veprim na djathtas në majtës, nga poshtë pjerrtas lartë. Është e rëndësishme të ceket, se pjesë metalike e kësaj predhe është futur në pjesën e majtë të kokës, e cila është dorëzuar si provë te policët hetues. Si rezultat i kësaj plage, ka ardhur edhe gjakderdhja e brendshme dhe e jashtme trurore, e cila është shkaku i vdekjes”, ka theksuar Uka.
Ai tutje ka thënë se në rastet kur mungojnë të dhënat preliminare të vendit të ngjarjes, kryhen edhe ekzaminimet e detajuara të shuplakave të duarve të viktimës.
“Edhe në këtë rast kemi kryer ekzaminimet e dy duarve … është eliminuar mundësia që e njëjta të ketë përdorur ndonjë armë, apo të ketë shkaktuar vetëvrasje. Mungesa e shtangimit kataliptik, të gishtit tregues, është provë tjetër mjeko-ligjore që e plotëson konstatomini e parë. Nuk lë asnjë dyshim për ndonjë mundësi tjetër”, ka shtuar Uka.
I akuzuari Naim Murseli duke i bërë pyetje dëshmitarit Uka, ka thënë se prokuroria po pretendon se ai ia ka shkaktuar shenjat në dorë të ndjerës Liridona Ademaj, pasi e ka mbajtur me forcë që të mos i shmanget plumbit. Ai e ka pyetur nëse këtë e thotë edhe raporti mjeko-ligjor.
“Mjeku ligjor nuk paragjykon pozitat apo situatat të cilat kanë mundur të jenë në momentin e vrasjes së të ndjerës. Ka për detyrë të bëjë shpjegim të qartë për karakteristikat e dëmtimeve trupore, në bazë të cilave bëhet edhe interpretimi i provave ligjore”, tha Uka.
Vazhdon gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt, dëshmon mjeku ligjor Naim Uka
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt më 2023.
Në seancën e sotme po dëshmon mjeku ligjor Naim Uka.
Në seancën e kaluar për këtë rast ka dëshmuar ish–drejtori i Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Shpend Haxhibeqiri. Ai para trupit gjykues ka thënë se Murseli nuk vuan nga ndonjë çrregullim mendor.
Në seancën e shqyrtimit fillestar, por edhe në seancën e parë të shqyrtimit gjyqësor, Murseli është deklaruar i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij.
Sipas aktakuzës, Murseli dyshohet se e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes për motive hakmarrjeje dhe për të përfituar financiarisht nga një sigurim jetësor në Suedi, në vlerë rreth 260 mijë euro. Sipas prokurorisë, vrasjen ai e ka planifikuar së bashku me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, të cilëve ua ka premtuar një shumë prej 30 mijë eurosh për kryerjen e krimit.
Liridona Ademaj është vrarë në mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-tës, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht ishte raportuar se bëhet fjalë për vrasje si pasojë e grabitjes, e më pas Prokuroria bëri të ditur se gjithçka ishte inskenim.