Kronikë

Lokalizohet zjarri në “Emshir”

Zjarri

Përditësim 23:45 - Ekipet e zjarrfikësve kanë lokalizuar zjarrin që ka kapluar kulmin e një ndërtese në lagjen “Emshir” të Prishtinës të enjten.

Pas përpjekjes disa orësh zjarrfikësit, të cilëve u kanë ardhur edhe përforcime, kanë arritur të shuajnë zjarrin përmes autoboteve të shumta dhe vinçit.

Zjarri krahas kulmit ka kapluar edhe disa banesa në objektin njëmbëdhjetë katesh, derisa një pjesë e kulmit ka rënë në tokë.

Sipas të dhënave të para nga ky rast nuk ka të lënduar. 


Zjarri në “Emshir” tash e dy orë, rritet numri i zjarrfikësve të angazhuar

Përditësim 22:35 - Zjarri që ka përfshirë një kulm të një banese në lagjen “Emshir” që prej orës 20:00 të enjten, ende nuk është shuar.

Njësitë e zjarrfikësve tashmë janë shtuar në vendin e ngjarjes. Ekipi i KOHËS nga vendi i ngjarjes raporton se janë katër kamionë të zjarrfikësve që po mundohen të fikin zjarrin. Intervenimet po kryhen nga ndërtesat tjera.

Policia ka rrethuar një pjesë të rrugës, ndërsa rryma është ndërprerë tash e sa orë.

Autoritetet kanë thënë se nuk është raportuar për ndonjë të lënduar.


Zjarr te “Banesat e arabëve”

Zjarri ka mbuluar kulmin e një ndërtese në lagjen “Kalabri” konkretisht te kompleksi që njihet si “banesat e arabëve”.

Sipas pamjeve që ka siguruar KOHA, kulmi shihet të jetë i mbushur plot tym. Siç kanë thënë nga Policia, e gjitha banesa është evakuuar. 

Policia e Kosovës ka thënë se bazuar në të dhënat e deritashme, nuk raportohet për të lënduar.

“Sot rreth orës 20:00, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në një ndërtesë në lagjen Emshir në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë policia dhe zjarrfikësit të cilët po merren me rastin. Bazuar në të dhënat e deritanishme nuk raportohet për persona të lënduar”, ka thënë Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë në rajonin e Prishtinës.

Banorët afër kanë njoftuar se tash e gjithë lagjja ka mbetur pa rrymë.