Kronikë

Zyrtarët policorë sulmohen në Prizren gjatë intervenimit në një rast të dhunës në familje

Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë një intervenimi te një rast i dhunës në familje në fshatin Poslishtë të Prizrenit në orët e hershme të së hënës, zyrtarët policorë janë sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i viktimës, vëllai dhe babai i tij. 

Në një komunikatë është treguar se policët janë sulmuar fizikisht dhe me gurë, ndërsa edhe viktima është kërcënuar dhe rrezikuar seriozisht. 

Gjatë intervenimit dhe përleshjes disa zyrtarë policorë kanë marrë lëndime të lehta trupore dhe janë arrestuar ndërsa tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. 

“Më datë 19.01.2026, rreth orës 02:12, në fshatin Poslishtë, Prizren një grua ka kërkuar ndihmën e policisë pasi ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Menjëherë pas mbërritjes në vendngjarje, patrullat policore janë përballur me një situatë të rëndë, ku bashkëshorti i viktimës, vëllai dhe babai i tij kanë sulmuar zyrtarët policorë dhe kanë tentuar të sulmojnë përsëri viktimën. Gjatë konfrontimit, policia është sulmuar fizikisht dhe me gurë, ndërsa viktima është kërcënuar dhe rrezikuar seriozisht. Për të parandaluar sulmin dhe për të mbrojtur jetën e viktimës, policët kanë ndërhyrë me forcë, duke arritur ta vendosin situatën nën kontroll. Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në stacionin policor. Gjatë përleshjes, disa policë kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor. Hetimet rajonale janë njoftuar dhe po e trajtojnë rastin”, ka njoftuar Policia e Kosovës. 

Të dyshuarit kanë shfrytëzuar të drejtën e heshtjes gjatë deklarimeve, ndërsa njëri prej tyre ka marrë lëndime gjatë arrestimit. Tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë. 

“Ekipi i kujdestarisë nga Sektori Rajonal i Hetimeve të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren është angazhuar në rast. Të dyshuarit kanë shfrytëzuar të drejtën e heshtjes gjatë deklarimeve. Njëri prej tyre ka marrë ndihmë mjekësore për lëndime të pësuara gjatë arrestimit. Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Përgjithshme ka lëshuar aktvendim për ndalim 48 orë për tre të dyshuarit.  Ky është një rast ku shihet se me çfarë sfidash ballafaqohet policia në rastet e dhunës në familje, megjithatë, policia  fuqishëm mbetet e përkushtuar në mbrojtje të viktimave pa dallim”, thuhet në njoftimin e Policisë.