Kulturë

6 shishe, 600 vizione

Friedrich Dürrenmatt është – më gjasë – më i madhi shkrimtar zviceran i shekullit 20-të. Ai është një përshkrues i apokalipsit, absurdit, groteskes. Zviceranët i quante njerëz të lirë, por Zvicrën burg, ku zviceranët e lirë janë njëkohësisht gardianë të burgut të tyre, andaj s’mund të arratisen nga burgu. Më 5 janar 2021 Dürrenmatt do të mbushte 100 vjet

1.

Në vitin 1990 Vaclav Haveli u nderua me çmimin zviceran Gottlied Duttweiler. Laudacion, pra fjalimin për nder të ish-disidentit dhe presidentit të mëvonshëm çek, e mbajti shkrimtari Friedrich Dürrenmatt. Një fjalim si provokim. Duke lavdëruar kurajën e Havelit, Dürrenmatt atakoi të metat e Zvicrës – para syve të ministrave. Pas ministrave kishin zënë vend publicistët, majtistët, opozitarët jashtëparlamentarë, ata duartrokisnin, brohorisnin dhe qeshnin, ndërsa pushtetarët rrudheshin, ndoshta edh shanin pa zë, ndërsa dëgjonin Dürrenmattin duke e përshkruar Zvicrën si burg. Zviceranët i quante njerëz të lirë, por Zvicrën burg, ku zviceranët e lirë janë njëkohësisht gardianë të burgut të tyre. Meqë secili është gardian burgu, asnjë zviceran, sado i lirë të jetë, nuk ka shans të arratiset nga burgu.

2.

Ulrich Werder, kurator i trashëgimisë së Dürrenmattit në Arkivin e Letërsisë Zvicerane, ka botuar një biografi të shkrimtarit të madh zviceran. Libri është botuar në prag të 100-vjetorit të lindjes së Dürrenmattit (u lind më 5 janar 1921). Dürrenmatt ishte dashamir i luksit. Në ushqim nuk kishte masë dhe e ndali veten vetëm kur e ndali sëmundja e sheqerit. Bodrumi i tij i verës ishte legjendar. Mysafirët që kishin nderin të ftoheshin prej tij në shtëpi, shpesh merrnin dhuratë një shishe verë nga bodrumi i tij – natyrisht e prodhuar në vitin e lindjes të mysafirit. Kur takohej me një mik, i merrte me vete deri në 6 shishe verë. Të cilat zbrazeshin brenda një nate, ku diskutohej për së paku 600 vizione. Kjo kishte pasojë për veturat e tij luksoze. Biografi Ulrich Werder numëron 10 aksidente që i ka shkaktuar Dürrenmatti. Me siguri shumicën në gjendje të dehur (ose jo bash esëll).

3.

Friedrich Dürrenmatt është shkrimtar i apokalipsit. I groteskes. I absurdit. Ai është shkrimtar që shtron shumë pyetje. Si shpëtoi Zvicra nga Lufta e Dytë Botërore? Si i përleu duart duke i shërbyer Adolf Hitlerit? Si u pasurua duke menaxhuar e pranuar para diktatorësh e xhelatësh nga mbarë bota? Dürrenmatt është autor edhe i disa romaneve kriminalistike, por në thelb ato janë e kundërta e tyre: shoshitje të temave morale. Në shqip janë përkthyer këto vepra të shkrimtarit zviceran: «Gjykatësi dhe xhelati i tij» (përktheu nga origjinali Ardian Klosi), «Greku kërkon greken» (përktheu Nasi Lera), «Premtimi: rekuiem për romanin policor» (përktheu nga origjinali Ardian Klosi), «Dyshimi» (përktheu Naim Kryeziu), «Plaku» [Tregim], «Sallami» [Tregim]; Biri [Tregim], «Vizita e zonjës plakë» [tragjikomedi], «Qeni» [Tregim]. Te pjesa teatrale «Truri» Dürrenmatt përshkruan këtë vizion tjetër të botës: «Një kryengritje skllevërish pengon ndërtimin e piramidave, Hanibali shkatërron Romën, Muhamedi i II-të pushton Europën, Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore zhvillohet mes Kinës dhe Mbretërisë amerikane të inkëve». Ndonëse llahtaria nuk ndodh në Europë, ajo nuk është më pak e përgjakshme. Te novela «Mbi vëzhgimin e vëzhguesit të vëzhguesve» Dürrenmatt merret me përgjimin e ndërsjellë të shoqërive.

30 vjet pas vdekjes së tij (14 dhjetor 1990) vizioni i Dürrenmattit gati është bërë realitet. Kina është një lloj diktature digjitale. Sistemet satelitore amerikane dhe lufta me dronë nuk mund të shmangen nga përditshmëria. «Gjykatësi dhe xhelati i tij» është një roman kriminalistik mbi vrasjen e një polici të Bernës. Në shikim (lexim!) të dytë romani është një trajtesë moralo-filozofike mbi njeriun që kurrë s’mund të jetë i përkryer. Në janar të vitit 1956 në Zürich u vu në skenë «Vizita e zonjës plakë», pjesa më e rëndësishme teatrale e tij, e luajtur anekënd botës, përfshirë Prishtinën dhe Tiranën. Claire Zachanassian, një zvicerane e pasur, kthehet nga bota e jashtme në fshatin e lindjes Güllen, aty ku dikur një dashnor ia kishte thyer zemrën dhe e kishte çnderuar. Tani zonja plakë dëshiron të hakmerret dhe iu ofron banorëve të Güllenit një miliardë nëse e vrasin të dashurin e saj të dikurshëm. Fillimisht banorët e hedhin poshtë këtë ofertë, por me kalimin e kohës... «Fizikanët» quhet një dramë tjetër e suksesshme Dürrenmatt, ku autori merret me rreziqet e teknikës bërthamore. Një autor ende aktual. Edhe për lexuesin shqiptar.