“Narracioni në shaka është shndërruar në formën tonë intime të qenies. Jeta jonë shpesh është një shaka. Nuk është qesharake kjo, por e gjejmë mënyrën për të qeshur”, ka thënë shkrimtarja e njohur palestineze, Adania Shibli të cilën në Prishtinë e ka sjellë botimi në shqip i romanit të saj “Një detaj dytësor” që bëri bujë gjithandej, veçmas shkaku i konfliktit në Gaza. “Gjithmonë thonë se palestinezët janë joracionalë dhe kërkojnë shumë. Çfarë po kërkojmë shumë? Thjesht po kërkojmë atë që është jona”, ka thënë ajo
“Minor Detail” që në shqip vjen me përshtatjen “Një detaj dytësor” ka bërë bujë në qarqet letrare dhe përtej tyre në botë. Shkrimtarja palestineze Adania Shibli në këtë vepër merret me përjetimet e zhvendosjes së palestinezëve. I botuar më 2017, libri tashmë i përkthyer në disa gjuhë, ka një specifikë: nëpërmjet heshtjes synon të fusë lexuesit në përjetimin e tmerrit.
Shibli s’ka synime që të sqarojë gjithçka. Gjuhën e sheh nga perspektiva të ndryshme. Por s’ia ha mendja se ajo mund të nxjerrë në pah të vërteten e sidomos përjetimin. Por s’e ka ndërmend të ndalet së shkruari. Këtë e ka bërë të ditur të enjten në Prishtinë, në ngjarjen e organizuar në kuadër të programit “Në bisedë” që implementohet nga “Heritage Space”, program i fondacionit, “Trashëgimia kulturore pa kufij” (CHwB Kosova).
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Shibli e lindur më 1974 në Palestinë ka rrëfyer pak nga përvoja e saj letrare. Në bashkëbisedim me studiuesen e letërsisë Diona Budima, ajo ka folur për perspektivën e saj në të shkruar, fuqinë e fjalëve e historinë e vendit që i takon.
Vepra e saj “Një detaj dytësor” e përkthyer në shqip nga Isa Memeshi ka çuar pluhur gjithandej.
Më 2023, nja dy dytë para se të niste edicioni i 75-të i Panairit të Librit në Frankfurt – një prej ngjarjeve më të mëdha të librit në botë – organizatorët bënë me dije se kanë shtyrë dhënien e çmimit “Literaturpreis” për librin e Shiblit që është një histori fiksioni e luftës. Kjo kishte ngjallur shumë reagime sidomos shkaku i konfliktit në Gaza. Në qarqet letrare flitej se gjermanet krejt lehtë e kategorizojnë një vepër si antisemite, shkaku i barrës historike që kanë. Shkas për shtyrje të dhënies së Çmimit, midis të tjerash qe bërë një kritikë e gazetarit gjerman, Carsten Otte që romanin e përshkruante si vepër që tregon se si “të gjithë izraelitët janë përdhunues dhe vrasës anonimë, ndërsa palestinezët janë viktima të pushtuesve të helmuar ose gati për të shtënë”. Një muaj më pas Shibli besonte se ky recension ishte vendimtar në vendimin për të shtyrë ndarjen e çmimit për të.

“E përjetova gjithë këtë çështje si një shpërqendrim nga dhimbja e vërtetë, asgjë më shumë”, do të thoshte ajo për “The Guardian”.
Shibli synon të nxjerrë në pah dhunën e vërtetë. E di që kjo s’është e lehtë. Dhe për këtë ka shembuj në dukje dytësorë, por tejet praktikë.
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Shibli ka rrëfyer se të qeshurat janë ato që i mbajnë njerëzit në Palestinë.
“Më gazmorët prej nesh janë ata që vijnë nga Gaza”, ka thënë ajo. Duket si ironi, por ajo lë të kuptohet se e qeshura është njëfarë gjetjeje për të përballuar tmerrin.
“Narracioni në shaka është shndërruar në formën tonë intime të qenies. Jeta jonë shpesh është një shaka. Nuk është qesharake kjo, por e gjejmë mënyrën për të qeshur”, ka thënë ajo. Edhe heshtja, sipas saj është diçka me të cilën palestinezët jetojnë.
Ka rrëfyer se prindërit e saj e kanë përjetuar 1948-n në moshën 15-vjeçare dhe kurrë nuk ju kanë rrëfyer fëmijëve të tyre se çfarë ka ndodhur.
“As tani s’janë në gjendje të tregojnë. E përjetojmë heshtjen dhe kjo nuk është çështje e qyqarisë, por e gjërave që disi s’kanë përmbajtje në gjuhë. Jam rritur duke kuptuar se gjuha nuk mund të na mbajë. Por gjithnjë e kam pasur dashurinë për gjuhën”, ka thënë shkrimtarja e romaneve, tregimeve të shkurtra, dramave dhe eseve. Ajo është shpërblyer me “Young Writer’s Aëard” në vitet 2002 dhe 2004. “Një detaj dytësor” ishte në listë për “National Book Award for Translated Literature” në vitin 2020 dhe “International Booker Prize” në vitin 2021. Përse gjuha s’mund t’i mbajë palestinezët, është një çështje që e shpjegon me disa shembuj.

“Gjithmonë thonë se palestinezët janë joracionalë dhe kërkojnë shumë. Çfarë po kërkojmë shumë? Thjeshtë po kërkojmë atë që është e jona”, ka thënë ajo. Shibli bindjet e saj i elaboron me shembuj të thjeshtë. Narracioni dominues është një pikëpyetje e madhe për të. për këtë, ka dhënë një shembull krejt personal.
“Shtypja e parë që kam përjetuar ka qenë nga motra ime. Gjithnjë më ka zemëruar motra ime 4 vjet më e madhe. Njëherë kam rezistuar dhe ajo ka vrapuar te nëna dhe ka sajuar një storie se unë e kam sulmuar. E tregonte këtë storie në mënyrë fasicinuese. Kam qenë pa fjalë. Dhe pastaj ajo i ka thënë nënës: ‘A e sheh që sulmuesja s’mund të thotë asgjë’”, ka rrëfyer ajo. Në këtë rast ka nxjerrë edhe një përfundim.
“Fascinomini dhe paaftësia shkojnë së bashku”, ka thënë Shibli. E ka cilësuar si fat të keq faktin se shkrimi është bërë pasioni i saj. Në këtë rast ka thënë se drejt shkrimit lëvizet në mënyrë të pavetëdijshme.
Moderatorja Diona Budima që duket se i ka bërë një studim serioz veprave të Shiblit, ia ka përmendur se shkrimtarja thotë se letërsia është i vetmi vend që e lejon heshtjen. E Shibli prapë ka marrë një shembull.
“Kjo ndodh kur përpiqeni të hetoni një krim. Nëse dikush është dhunuar apo vrarë dhe duhet zbuluar, e vërteta gjendet vetëm nëpërmjet kryesit të asaj vepre. Ky është problemi i së vërtetës. E vërteta që thuhet, thuhet nga kryesi prandaj a është e vërtetë kjo? Pra, e vërteta është në narracionin e kriminelit. Çfarë është heshtja? Mendoj se romani barttë këtë pyetje”, ka thënë ajo. Sipas saj, viktima s’e ka mundësinë e të bërit narracion.
“Nëse e vendosim veten në vend të viktimës do të jemi viktima dhe s’do të kemi mundësinë që të bëjmë narracion. E vetmja mundësi është heshtja. Kjo është një pyetje që ia shtroj vetes çdo ditë. Nuk i pëlqej arkivat e as historinë. Ka qenë lëndë ku isha e dobët”, ka thënë ajo. Sipas saj, në këtë rast i hapet rruga letërsisë.
“Fabula nuk do të thotë ta sjellë zërin e viktimës por gjejmë një mënyrë për të ardhur tek e vërteta. Por është fiksion e jo histori”, ka thënë ajo. Ka rrëfyer se është rritur me një histori e cila nuk tregohet.
“Nuk është ajo që është në librat e historisë por e bartim në shpirtin dhe trupin tonë. Është një përjetim i mishëruar”, ka thënë Shibli. Këtë përjetim të mishëruar ajo e ngjall në veprën e saj. Edhe aty zë vend heshtja pasi sipas shkrimtares, është mënyra më e saktë e shprehjes.
Në raport me veprën e saj të botuar në shqip nga shtëpia botuese “Dudaj”, përkthyesi Isa Memishi ka thënë se heshtja ndodhet aty.
“Jemi këtu për të ndarë përvojën e përkthimit të një vepre që nuk i jep zgjidhje realitetit, por i jep emrin e duhur. Një emër që shpesh është i heshtur, i përmbajtur por gjithmonë i vërtetë. Romani nuk është një rrëfim i zakonshëm. Është një tekst i qetë në dukje, por me tension të vazhdueshëm në sipërfaqe. Një narrativë që flet me heshtje që më shumë sugjeron heshtjen sesa e thotë”, ka thënë ai. Veprën e ka përshkruar si një tekst që kërkon durim e gatishmëri për të lexuar midis rreshtash e për të ndier atë që nuk është shkruar.
Shibli duket sikur e ka maksimë se heshtja sqaron gjithçka. Këtë e aplikon edhe në veprat e saj. Narracionit nuk i beson fort.
“Jemi rritur si fëmijë në Palestinë duke menduar për Kosovën dhe vizita ime këtu është mjaft prekëse”, ka thënë shkrimtarja, duke paraqitur një narracion që në këto anë është zor i besueshëm. Ndoshta e ka pasur veç si test për të ngritur pyetje rreth narracionit. Këtë e bën edhe në veprat e saj. Por duke i dhënë zë heshtjes si një e vërtetë e madhe.