Kulturë

Albanologu dhe dorëshkrimi i grabitur nga tre vrasës

Kur më 19 shkurt 1931 tre agjentë të shtëpisë mbretërore të Beogradit vranë në Zagreb albanologun dhe politikanin kroat Milan von Šufflay (Millan Shufllaj), nuk u ndërpre vetëm rruga e një dijetari. Me atë rast vrasësit vodhën edhe vëllimin e tretë të veprës së Milan von Šufflay: „Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia“. Deri më sot nuk ka të dhëna se ku gjendet ky punim. Për aq sa dihet publikisht, kjo temë nuk është hapur kurrë nga politikanët e Kosovës dhe Shqipërisë në takimet e tyre me zyrtarët serbë. Nuk ka në lidhje me këtë as ndonjë punim serioz nga ndonjë studiues shqiptar.

1.

Milan von Šufflay u lind më 8 nëntor 1879 në Lepogllavë në rrethinën e qytetit të Varazhdinit në Kroacinë e sotme. Në gjermanisht Lepogllava quhet Schönhaupt, që në shqip ka këtë kuptim: Kokëmirë. Lepogllava njihet për burgun e saj famëkeq, i cili deri më 1854 ka qenë manastir murgjish katolikë. Pastaj regjim pas regjimi ky burg është shfrytëzuar për ngujimin e kundërshtarëve politikë. Nga viti 1928 deri më 1933 në këtë burg ka qenë komunisti Josip Broz Tito. Pas Luftës së Dytë Botërore Tito, tani i pajisur me pushtet të pakufishëm, i dërgoi kundërshtarët e tij në Lepogllavë. Një shembull se si historia bën kthesa të mëdha. Në Lepogllavë kanë vuajtur dënime shumëvjeçare me burg edhe shumë shqiptarë, kryesisht kundërshtarë të regjimit jugosllav.

2.

Mësimet e para Milan von Šufflay i ndoqi në Lepogllavë, pasaj kreu gjimnazin në Zagreb dhe po aty studioi historinë dhe filologjinë klasike. Pasi doktoroi më 1902 dhe ndoqi një kurs vjetor në “Institutin austriak për studime të historisë”, Milan von Šufflay punoi si asistent në Muzeun Kombëtar të Budapestit. Më 1908 u emërua profesor i historisë në Zagreb dhe më 1912 profesor i rregullt i historisë mesjetare. Përveç me shkencë Milan von Šufflay u mor edhe me politikë: ai ishte njëri nga drejtuesit e Stranka prava, një parti konservatore kroate.

Image

3.

Vështirësitë e mëdha për Milan von Šufflay filluan pas themelimit të Mbretërisë serbe, kroate dhe sllovene më 1918. Atëbotë, siç kishte shkruar më vonë shkrimtari kroat Miroslav Krleža, tradita austro-hungareze kroate u hodh në kontejnerin e familjes mbretërore serbe Karađorđević si një shishe e zbrazët birre. Si kundërshtar i tiranisë serbomadhe, si politikan që përkrahte mëvetësinë kroate dhe si shkencëtar që po bëhej njëri prej albanologëve më të njohur në botë, Milan von Šufflay ishte halë në sytë e familjes mbretërore serbe (formalisht jugosllave) dhe elitës nacionaliste të Beogradit. Bashkë me historianët Ludwig Thallóczy dhe Konstantin Jireček ai botoi dy vëllime të „Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia“ (Vjenë 1913, 1918), kjo është një përmbledhje burimesh mbi historinë e shqiptarëve që përfshinte vitet 344 deri 1344 përkatësisht 1344 deri 1406.

4.

Milan von Šufflay u pensionua detyrimisht në moshën 39-vjeçare. Më 1920 u arrestua për shkak të lidhjeve të tij me një komitet emigrantësh kroatë në Budapest, u dënua me 3 vjet e gjysmë burg dhe u dërgua në burgun e Mitrovicës së Stremit. Pasi doli nga burgu, ai iu përkushtua tërësisht temave politike dhe historike që lidheshin me kroatët dhe shqiptarët. Ishte i vetëdijshëm mbi rrezikun që i kanosej nga regjimi serb, andaj shpeshherë shkroi me pseudonime të ndryshme. Kur më 19 shkurt 1931 doli nga banesa e një mikeshe në rrugën Dalmatinska ulica numër 6 në Zagreb, atij iu afruan tre sulmues. Njëri prej tyre e goditi me shufër hekuri në kokë. Të nesërmen vdiq nga pasojat e sulmit. Vrasësi i Milan von Šufflay ishte anëtari i organizatës terroriste “Jugosllavia e re” Branko Cverger (Zwerger). Para atentatit Milan von Šufflay kishte bërë gati për botim vëllimin e tretë të „Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia“. Këtë punë të rëndësishme shkencore ia vodhën atentatorët dhe deri më sot nuk dihet se ku është. Ndoshta gjendet në ndonjë arkiv në Beograd apo kasafortë të shërbimeve sekrete serbe. Ka gjasa të jetë djegur. Çuditërisht çështja e zhdukjes së kësaj vepre të Milan von Šufflay nuk është trajtuar as nga politika në Kosovë e Shqipëri, por në lidhje me këtë nuk ka as ndonjë punim serioz nga ndonjë studiues shqiptar (së paku për aq sa dihet publikisht).

Image

5.

Vrasja e Milan von Šufflay ishte pritur me neveri e shqetësim në opinionin e atëhershëm perëndimor. Kundër krimit protestuan përmes një letre (që u botua në “New York Times”) shkencëtari i famshëm Albert Einstein dhe shkrimtari Heinrich Mann (vëllai i nobelistit gjerman Thomas Mann). Letra iu dërgua Ligës Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Einstein dhe Mann theksonin në letrën e tyre se gazetave në Zagreb nuk u ishte lejuar të shkruajnë për veprimtarinë e Milan von Šufflay, fletëvdekja ishte konfiskuar dhe telegrame ngushëllimi ishte e ndaluar të dërgohen. Koha e varrimit nuk u lejua të bëhet publike, po ashtu as ulja e flamurit në ndërtesën e universitetit. Einstein dhe Mann theksonin se “vrasja si mjet për arritjen e qëllimeve politike nuk duhet të tolerohet” dhe “glorifikimi i vrasësve si heronj kombëtarë nuk duhet të durohet”.

6.

Përkundër kërkesave të autoriteteve kroate për dorëzimin e sulmuesve, Beogradi refuzoi. Megjithatë, u organizua një proces gjyqësor. Branko Cverger dhe Ljubomir Belošević u shpallën fajtorë, ndërsa Stevo Večerinac u lirua. Cverger u dënua me burg të përjetshëm, Belošević me 5 vjet. Belošević më vonë në një proces të ri gjyqësor u lirua nga akuzat. Belošević, Cverger dhe Stefan Lomljemović ishin arrestuar në Vjenë për shkak të dyshimit se kishin planifikuar atentate kundër emigrantëve kroatë. Shtypi austriak i kohës njoftonte se në Vjenë ata kishin ardhur me dokumente të falsifikuara udhëtimi dhe të armatosur me revolverë dhe thika.

7.

Milan von Šufflay nuk ishte vetëm shkencëtar i madh. Me pseudonim Alba Limi ai ka shkruar romanin me tematikë shqiptare “Konstantin Balsha”. Milan von Šufflay ka botuar me pseudonimin Eamon O’Leigh edhe romanin “Në Paqësor në vitin 2255”, kjo është njëra nga veprat e para të letërsisë kroate nga zhanri i fantashkencës. Vrasja e tij, thuhet në leksikonin biografik të Europës Juglindore (Instituti Leibnitz, Gjermani), ia shkëputi shkencës një dijetar, puna e gjithanshme dhe e frytshme e të cilit ka ndikim deri në ditët e sotme.